Ura e Muhurrit, që ndodhet mbi lumin Drin në qarkun e Dibrës, është kthyer prej kohësh në një rrezik për banorët e njësisë administrative Muhurr. Në vend që të shërbejë si urë lidhëse, ajo sot ngjan më shumë me një grackë për banorët që detyrohen ta kalojnë çdo ditë, me zemrën në dorë, nga frika.
Mungesa e mirëmbajtjes, dëmtimet serioze në strukturë dhe ndërtimi i vjetër prej dekadash vë në rrezik banorët. Pavarësisht kësaj gjendje të amortizuar të urës, administratori i njësisë administrative Muhurr, kryetari i bashkisë Peshkopi Rahim Spahiu, prefektura e qarkut Dibër nuk e kanë vënë ujin në zjarr për të rikonstruktuar një strukturë me vlerë jetike për qindra banorë, ka mbetur në mëshirë të kohës dhe të fatit.
Banorët e shtatë fshatrave të kësaj komune, konkretisht Fushë-Muhurri, Bulaçi, Hurdhë-Muhurr, Muhurri, Rreth-Kale, Shqathi, Vajmëdhej ndihen të rrezikuar kur kalojnë në këtë urë të shkatërruar që nga momenti në moment rrezikon tragjedi. Kjo urë nuk shërben vetëm për banorët e Muhurrit, por është nyje lidhëse për komunat përreth si Arras, Fushë-Çidhën, Kala e Dodës, Kastriot, Lurë, Luzni.
Banorët e këtyre komunave varen nga ky kalim për të arritur në qytet, për të marrë shërbime shëndetësore, për të çuar fëmijët në shkollë apo për të transportuar prodhimet bujqësore. Ndërkohë në vitin 2022 është bërë një tender për “Sistemim asfaltim Ura e Muhrrit-Vajmedhej” (Loti 1) Bashkia Dibër. Mirëpo, ajo që vihet re është se prokurimi më pas është anuluar, duke argumentuar se: “Bazuar në Ligjin Nr. 162/2020, datë 23.12.2020 ‘Për Prokurimin Publik’ neni 98, pika 1 germa: c) konstaton se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.

Banorët kërkojnë zgjidhje urgjente para se ura e Muhurrit të shndërrohet në lajm tragjik. Përgjegjësit lokalë dhe qendrorë duhet të ndërhyjnë pa vonesë, nëse nuk duan që nesër të lexojnë deklarata ngushëllimi në vend të planeve të rehabilitimit.