Një qytetare nga Elbasani ka ngritur një shqetësim të përsëritur në lidhje me mungesën e mjekëve pediatër në qendrën ambulatore të lagjes 28 Nëntori në Elbasan. Sipas saj, në të paktën pesë raste të ndryshme, është paraqitur me fëmijët për vizitë te mjeku familjar pediatër dhe nuk ka gjetur asnjëherë asnjë mjek të pranishëm. Ajo thekson se të dy fëmijët i ka të regjistruar me mjekë të ndryshëm, por asnjëri nuk ndodhet në vendin e punës.
Për shkak të kësaj situate, prindërit janë detyruar të kërkojnë ndihmë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, në repartin e Pediatrisë, edhe për raste që në kushte normale do të trajtoheshin në qendrën ambulatore. Kjo jo vetëm ngarkon pa nevojë shërbimin spitalor, por krijon vështirësi të mëdha për familjet, veçanërisht kur bëhet fjalë për probleme të menjëhershme shëndetësore te fëmijët. Qytetarja shprehet se stafi u thotë se mjekët vijnë në orarin e pasdites, ndërkohë që fëmijët kanë temperaturë të lartë dhe nevojë urgjente për mjekim.
Ajo thekson se shërbimi duhet të jetë i garantuar si në paradite, ashtu edhe në pasdite, sipas orareve përkatëse të përcaktuara nga sistemi shëndetësor.
Denoncimi:
Përshëndetje,
Kam hasur një problem të përsëritur në qendrën ambulatore të lagjes. Të paktën pesë herë që kam shkuar për të vizituar fëmijët tek mjeku familjar pediatër, nuk kam gjetur asnjë mjek të pranishëm. Ajo që e bën situatën edhe më të pazakontë është se kam dy fëmijë, secili i regjistruar me mjek të ndryshëm, dhe asnjëri prej tyre nuk ndodhet aty.
Për pasojë, jemi detyruar çdo herë të drejtohemi në Spitalin Rajonal të Elbasanit, tek Pediatria, edhe për probleme që do duhej të zgjidheshin në nivel ambulatore.
Kërkoj që ky shqetësim të merret seriozisht dhe të merren masat e duhura, pasi kjo situatë po na vë në vështirësi të vazhdueshme si prindër.
Jo thonë vjen mbasdite ndërkohë fëmija me 39. Aty duhet te jetë paraditja, pasditja per te dy oraret përkatëse
Faleminderit për mirëkuptimin.
I bëhet thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me në krye Albana Koçiu që të ndërhyjë menjëherë për të garantuar praninë e mjekëve në qendrat ambulatore dhe për të mos lënë komunitetin pa shërbim bazë mjekësor. Nevojitet një zgjidhje urgjente për të siguruar mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve dhe për të shmangur raste të rrezikshme për jetën.