Një qytetar nga Fieri ka ngritur një shqetësim serioz për sigurinë ushqimore, duke denoncuar një rast ku qumështi i markës “Erzeni” ishte i prishur në momentin e blerjes, pavarësisht se afati i skadencës nuk ishte kaluar.
Ditën e sotme qytetari ka blerë një shishe qumësht në një market në lagjen “15 Tetori” të Fierit. Por gjatë rrugës për në shtëpi, ai ka vënë re se qumështi kishte marrë trajtën e kosit, ndonëse nuk ishte zier dhe etiketa tregonte se ishte ende brenda afatit të përdorimit.
“Në paketim shkruhej se skadon më 19 qershor, por ishte bërë kos që sot. Nuk ishte i lëngshëm si qumështi, por krejtësisht i trashë,” – tha qytetari, duke e cilësuar rastin si skandaloz.
Ngjarja ngre pikëpyetje mbi kushtet e ruajtjes, transportit apo cilësinë e prodhimit të produkteve ushqimore në treg, veçanërisht për produktet e bulmetit që kërkojnë standarde të larta higjienike dhe zinxhir të pandërprerë frigoriferik.
Autoritetet përkatëse duhet të marrin masa për raste te tilla pasi me rritjen e temperaturave, rreziku për produkte të tilla shtohet edhe më tepër.