Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë ka nisur sot rinumërimi i 2.323 kutive të votimit të zgjedhjeve të 11 majit, në zbatim të vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
Procesi po zhvillohet në 24 tavolina numërimi, nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të autorizuar nga Partia Demokratike – ASHM, Partia Socialiste dhe Partia Mundësia, tre subjektet që kanë paraqitur ankimimet.
Kandidati për deputet i koalicionit opozitar, Blendi Himçi, ka ngritur shqetësime për mënyrën si po trajtohen disa fletë votimi, të cilat sipas tij janë të parregullta.
“Fletët që janë pa vulë ose me vetëm një vulë po shpallen të vlefshme dhe po i numërojnë në favor të PS-së. Kemi pamje filmike dhe po i verifikojmë edhe këtu. Kjo është një situatë skandaloze”, deklaroi Himçi, duke kërkuar që kutitë ku gjenden fletë të tilla të shpallen të pavlefshme.
Ai përmendi raste ku fletët e kontestuara ishin pjesë e të ashtuquajturit “tren bullgar”, një skemë e dyshuar për manipulim votash.
Rinumërimi do të zhvillohet në dy faza: fillimisht do të numërohen votat për subjektet politike, dhe më pas do të kalojë në numërimin për kandidatët individualë për deputetë. Ky proces po ndiqet nga afër nga palët politike dhe pritet të jetë vendimtar për disa rezultate të diskutueshme të zgjedhjeve të fundit.