Një problematikë e përsëritur po prek prej kohësh përdoruesit e platformës Qëndrore e Faturave të Administratës Tatimore në e-Albania, të cilët ankohen se sistemi nuk funksionon siç duhet dhe shpesh është jashtë përdorimit. Pavarësisht se kjo çështje është denoncuar edhe më herët, duket se asgjë nuk ka ndryshuar dhe vështirësitë në përdorim vazhdojnë çdo ditë.
Duket se drejtoreshës së AKSHI Mirlinda Karçanajt, ministrit Petrit Malaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj nuk i interesojnë denoncimet e qytetarëve të cilët nuk po marrin shërbimin e nevojshëm.
Sipas ankesave të qytetarëve, për të kryer një veprim të vetëm në platformë, duhet të provojnë disa herë radhazi pasi sistemi jep vazhdimisht gabime teknike. Në shumë raste, edhe pas përpjekjeve të shumta, kërkesat nuk përpunohen dhe shfaqet i njëjti error pa asnjë shpjegim apo zgjidhje alternative.
"Përshëndetje, si jeni? Para disa ditësh keni publikuar nje ankese ne lidhje me sistemin self care. Ende vazhdon problematika. Per cdo gje qe na duhet, duhet te provojme mbi 5 here dhe shume here as nuk zgjidhim pune sepse shfaqe perseri error. Seshte normale kjo situate te vazhdoj kesht gjithmone", shkruan qytetari.
Një ekonomist ka denoncuar për JOQ mosfunksionimin total të sistemit të AKSHI-t prej disa ditësh, në një nga periudhat më të ngarkuara të vitit dorëzimin e bilanceve në QKB. Sipas tij, pamundësia për të kryer veprimet e nevojshme jo vetëm që po ndikon rëndë në punën e profesionistëve të fushës, por po i ekspozon edhe ndaj penaliteteve administrative. Ai ngre shqetësimin se shumë prej atyre që mbajnë poste kyçe në sistem janë vendosur aty jo për kompetencë profesionale, por për lidhje politike dhe mbledhje votash, çka e bën situatën edhe më absurde.
"Përshëndetje JOQ! Jam një ekonomist dhe në këtë periudhë ësht dorzimi i bilanceve në QKB. Dua të denoncoj mos funksionimin total të AKSHI-it prej disa ditësh. Nuk po bëjmë dot asnjë veprim në lidhje me AKSHI dhe kjo po përveç problemazikave në punë po na çon edhe drejt penaliteteve administrative. Normalish patronazhistat e vendosur nëpër funksionet e it apo mirmbajtje dhe procesim të dhënash te AKSHI sja kanë idenë se jan vendos aty me bazë arritjesh në grumbullimin e votave dhe jo të grumbullimit të njohurive dhe dijeve. Këtë e kuptojmë shumë mirë por akoma kështu do vazhdojm?! Kështu do shkojm në Evropë ne?! Nuk na qas njeri kështu jo", shkruan qytetari për JOQ
Qytetarët shprehen se një situatë e tillë nuk mund të konsiderohet normale dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për të garantuar një funksionim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të platformës, e cila në vend që të lehtësojë, po krijon gjithnjë e më shumë stres dhe pengesa në kryerjen e shërbimeve bazë.