Shtëpitë me qira ditore në Tiranë do të taksohen, si do llogariten detyrimet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.06.2025, 09:32

Strukturat akomoduese me qira ditore si Bed & Breakfast (B&B) dhe bujtinat, që deri tani nuk paguanin detyrime vendore si taksa e infrastrukturës arsimore dhe tarifa e pastrimit, pritet të përfshihen në regjimin e ri fiskal lokal të propozuar nga Bashkia e Tiranës.

Projektvendimi i ri, i titulluar “Për disa shtesa dhe ndryshime në sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, propozon që përveç hoteleve dhe moteleve, këto struktura të përfshihen në përllogaritjen e taksave në bazë të xhiros vjetore.

Si do të llogariten tarifat për B&B dhe bujtinat?

Bazuar në vendimin ekzistues nr. 158, datë 26.12.2019, këto janë skemat e reja që do të aplikohen:

Tarifa e pastrimit:

Xhiro 0 – 2 milionë lekë: 5,750 lekë në vit

Xhiro 2 – 8 milionë lekë: Tarifë fikse: 11,500 lekë, Plus: 1,150 lekë për çdo dhomë

Xhiro mbi 8 milionë lekë: Tarifë fikse: 34,500 lekë, Plus: 1,725 lekë për dhomë

Bizneset VIP: Tarifë fikse: 69,000 lekë, Plus: 2,900 lekë për dhomë

Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore:

Xhiro 0 – 2 milionë lekë: 2,500 lekë në vit

Xhiro 2 – 8 milionë lekë: 4,000 lekë në vit

Xhiro mbi 8 milionë lekë: 17,000 lekë në vit

Bizneset VIP: 32,000 lekë në vit

Kjo do të thotë se një B&B me 5 dhoma dhe xhiro 3 milionë lekë, do të paguajë: Tarifë pastrimi: 11,500 + (5 x 1,150) = 17,250 lekë, Taksa për infrastrukturën arsimore: 4,000 lekë, Totali vjetor: 21,250 lekë

Depot farmaceutike, që më parë kategorizoheshin si "shitje me pakicë", do të riemërtohen si subjekte të shitjes me shumicë nën kategorinë “magazina, dyqane, depo farmaceutike etj.” Te kategoria e njësive të shërbimit (marangozë, këpucarë, rrobaqepës, floktore, orëndreqës), shtohen edhe bojaxhinjtë dhe hidraulikët, duke saktësuar se nuk klasifikohen si biznese ndërtimi.

Për institucionet jopublike të edukimit (shkolla, çerdhe, kopshte) dhe klinikat mjekësore, hiqet referenca për ndarjen sipas xhiros në rastet kur nuk kalojnë pragun e regjistrimit në TVSH, për të shmangur kontradikta me statusin tatimor.

Projektvendimi është ende në fazën e konsultimit dhe, nëse miratohet, pritet të hyjë në fuqi brenda këtij viti, duke ndikuar qindra biznese të vogla që operojnë me qira ditore në qytetin e Tiranës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit