Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë alarmante, ndërsa përplasjet ushtarake mes Izraelit dhe Iranit janë në ditën e pestë, me viktima të shumta në të dyja anët dhe shqetësime ndërkombëtare për përshkallëzim të mëtejshëm.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar qytetarët që të evakuohen menjëherë nga Teherani, duke akuzuar Iranin për refuzim të një marrëveshjeje bërthamore dhe kërcënuar me pasoja më të rënda nëse sulmet ndaj Izraelit nuk ndalen. “IRANI NUK MUND TË KETË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë vazhdimisht! Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani!”, shkroi Trump në platformën e tij sociale Truth Social.
Ndërkohë, në samitin e G7 në Kanada, udhëheqësit botërorë lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe duke theksuar se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore, ndërsa konfirmuan të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Japonia, së bashku me BE-në, dënuan ashpër përshkallëzimin dhe theksuan nevojën për ruajtjen e stabilitetit në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Presidenti Trump u largua herët nga samiti, duke përmendur si arsye situatën emergjente në Lindjen e Mesme. Ai hodhi poshtë deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili sugjeroi se SHBA-të kishin propozuar një armëpushim. “Gabim! Ai nuk e ka idenë pse po kthehem në Uashington,” shkroi Trump.
Mediat iraniane raportuan shpërthime në Teheran herët të martën, si dhe aktivizim të mbrojtjes ajrore në Natanz, ku ndodhen qendra të rëndësishme bërthamore. Izraeli konfirmoi se kishte goditur objektiva ushtarake iraniane, përfshirë magazina armësh dhe hedhëse raketash.
Ndërkohë, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në Tel Aviv, Jerusalem dhe qytetin bregdetar të Herzliyas, ku janë raportuar dëme materiale dhe viktima. Sipas autoriteteve, 224 iranianë janë vrarë, shumica civilë, ndërsa Izraeli raporton 24 viktima dhe afro 3,000 të evakuuar.
Sipas mediave, Irani i ka kërkuar Katarit, Omanit dhe Arabisë Saudite të ushtrojnë presion ndaj Trump që t’i kërkojë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të pranojë një armëpushim të menjëhershëm. Në këmbim, Irani do të shfaqte fleksibilitet në negociatat bërthamore.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se "nëse SHBA-të janë të sinqerta për diplomacinë, atëherë Izraeli duhet të ndalë agresionin. Përndryshe, përgjigja jonë do të vazhdojë."