Tërmeti në SPAK! Bëri investitore të motrën, i dha tokë për agroturizëm dhe 220,000€ fonde!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 16.06.2025, 21:51

Sipas burimeve në media, agjentët e BKH-së dhe Prokuroria e Posaçme kanë zhvilluar sot një kontroll të befasishëm në ambientet e Bashkisë Tepelenë, në kuadër të një hetimi të nisur për abuzime të dyshuara me tenderë publikë gjatë kohës kur drejtimin e këtij institucioni e mbante ish-kryebashkiaku Tërmet Peçi.

Sipas burimeve mediatike, gjatë operacionit janë sekuestruar dokumente dhe materiale digjitale, të cilat mund të hedhin dritë mbi mënyrën e ndarjes së tenderëve në bashki dhe lidhjet e mundshme klienteliste me kompani private.

Një nga kompanitë në fokus të hetimeve është “NG STRUCTURES shpk”, themeluar në vitin 2017 nga bashkëshortja e drejtorit të Bashkisë Tepelenë, Aleksandra Bami, dhe shtetasi Hekuran Hoxha. Kjo kompani ka përfituar tenderë me vlerë 18 milionë euro nga Bashkitë Tepelenë dhe Gjirokastër dhe 66 milionë euro gjithsej nga institucione publike, përfshirë projekte të rindërtimit.

Një tjetër kompani, “IUMENTIS shpk”, me të cilën lidhen të njëjtët aktorë, ka marrë tokë publike dhe leje ndërtimi për ndërtimin e një thertoreje rajonale në Gjirokastër — përmes një VKB-je të firmosur nga vetë Tërmet Peçi. Fondet më pas përfunduan në llogarinë e “NG STRUCTURES”.

Pas largimit nga “NG STRUCTURES”, Aleksandra Bami krijoi një tjetër kompani me emrin “Artreum Generation”, me ortak themelues Mateo Shehu, djali i pronarit të “IUMENTIS”. Kjo kompani ka përfituar një kontratë në Bashkinë Memaliaj për ndërtimin e një ujësjellësi.

Hetimet përfshijnë motrën e Peçit, Manjola Haska, e cila, ndonëse është mësuese dhe drejtuese shkolle, rezulton përfituese e mijëra metrave katrorë tokë publike në fshatin Rexhin për ndërtimin e një agroturizmi. Projekti është mbështetur me 220 mijë euro fonde IPARD nga AZHBR, nën drejtimin e ish-ministres Frida Krifca.

Fondet që duhet të përdoreshin për fermerët, janë kanalizuar për thertoren dhe agroturizmin e familjarëve të Peçit, nëpërmjet një rrjeti klientelist mes zyrtarëve lokalë dhe bizneseve të lidhura me ta.

Nëse SPAK arrin të provojë shkelje ligjore, mandati i ardhshëm parlamentar i Tërmet Peçit mund të mos zgjasë shumë...

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit