“Hëngra akullore me babin, pastaj ai vrau mamin”, fëmija rrëfen tmerrin pas krimit makabër në Itali

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16.06.2025, 20:27

Një krim tronditës që ndodhi në qytetin Marche të Italisë ka lënë të shokuar opinionin publik, ku një 45-vjeçare shqiptare, Gentiana Hudhra, u vra me thikë nga ish-bashkëshorti i saj në mes të një parku, pranë qendrës së qytetit.

Djali i viktimës, Mario, ka rrëfyer për mediat se pak çaste para se të ndodhte vrasja, kishte takuar të atin. “Shkova të haja akullore me babin, pastaj ai vrau mamin”, është shprehur ai me fjalë që kanë tronditur Italinë.

Autori i krimit, Nikollaq Nikollaqi, 55 vjeç, shqiptar me banim në Itali, kishte planifikuar disa herë vrasjen gjatë muajve të fundit. Ai përdori një thikë me teh 18 cm për t’i marrë jetën ish-bashkëshortes së tij, me të cilën ishte ndarë që në vitin 2021. Gentiana po shkonte në punë në momentin e sulmit.

Krimi ndodhi më 14 qershor rreth orës 19:45, në Viale Benadduci. Një debat i dhunshëm mes çiftit degjeneroi në tragjedi. Autori fillimisht e qëlloi me thikë disa herë, më pas e goditi me shkelma edhe kur ajo ishte shtrirë pa ndjenja në tokë.

Kalimtarët e tmerruar njoftuan menjëherë emergjencat. Kur karabinierët dhe ambulanca mbërritën, e gjetën autorin të ulur në stol, me sytë nga trupi i pajetë i Gentianës. “Unë e bëra, jam mirë. Po pres”, tha ai me qetësi të frikshme.

Një dëshmitar okular tregoi se kishte dëgjuar britmat dhe kishte parë burrin duke e goditur me shkelma gruan që tashmë kishte rënë në tokë. “Pashë shumë gjak, ai dukej pothuajse i kënaqur”, tha dëshmitari.

Çifti kishte dy fëmijë, 21 dhe 23 vjeç, të cilët jetonin me nënën. Ndërkohë, autoritetet italiane kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë mbi trupin e viktimës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit