Një rrëfim prekës ka mbërritur në redaksinë e JOQ nga një qytetar, i cili më 28 mars 2025 humbi mikun e tij të pandarë, Pablon, një qen të racës Rottweiler.
Pas një periudhe sëmundjeje, Pablo ndërroi jetë në mesnatë, duke lënë pas një boshllëk të thellë në zemrën e familjes që e kishte rritur me dashuri. Varri i gjendur në Dajt i cili spekulohej nga një grup vajzash se i përkiste një fëmije të vogël, në të vërtetë është i Pablos, qenushit të dashur i cili pati një fat përlotës.
“Përshëndetje JOQ. Ky është qeni im Pablo. Ndërroi jetë më 28 mars 2025 si pasojë e një sëmundjeje. Kam video të momenteve të tij të fundit, të cilat i ka konfirmuar edhe veterineri,” rrëfeu i zoti për redaksinë e JOQ me zërin e mbushur me emocione të trishta.
Në një akt të dhimbshëm, por edhe me shumë dashuri, ai u përpoq t’i jepte një prehje dinjitoze qenit të tij. Duke mos pasur asnjë institucion apo hapësirë publike të dedikuar për varrosjen e kafshëve shtëpiake në Shqipëri, ai mori rrugën drejt malit të Dajtit në orët e vona të natës.
“Për arsye se qeni ndërroi jetë në mesnatë, shkova në Dajt dhe, për shkak të mungesës së ndriçimit, zgjodha vendin më të përshtatshëm që gjeta për ta varrosur. Mbulesa që disa mund ta kenë keqkuptuar si ‘kapele’, është në fakt një batanije që përdora për ta mbuluar me respekt për herë të fundit,” sqaron ai.
Përmes këtij rrëfimi, ai ngre zërin për mungesën e theksuar të strukturave publike që të ofrojnë një trajtim të denjë në rastet e vdekjes së kafshëve shtëpiake.
“Kafshët janë pjesë e familjes për shumë prej nesh. Por në fund, nuk kemi asnjë zgjidhje se ku t’i varrosim me dinjitet,” përfundon ai.