Maturantët e shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë i janë drejtuar redaksisë sonë me një denoncim për Bashkinë Tiranë, e cila këtë vit nuk i ka lënë të zhvillojnë ceremoninë e diplomimit në Amfiteatrin e Liqenit, ashtu sikur ka qenë traditë çdo vit.
Nxënësit fillimisht iu tha se vendi ishte në restaurim, por më pas u njoftua se aty do të mbahet eventi “Miss Albania”. Nxënësit e quajnë këtë një padrejtësi, pasi thonë se janë mbi 400 maturantë që meritojnë një ceremoni dinjitoze në një hapësirë publike.
Ata kërkojnë nga Bashkia rishikimin e vendimit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë për një moment kaq të rëndësishëm për ta. “Nuk kërkojmë asgjë më shumë, vetëm respekt dhe trajtim të barabartë,” thonë nxënësit.
Mesazhi i plotë:
Përshëndetje JOQ! Dua të bëj një ankesë në lidhje me Bashkinë e Tiranës, e cila po na mohon të drejtën e një ceremonie diplomimi dinjitoze ne nxënësve të shkollës “Ismail Qemali”.
Tradicionalisht, çdo vit kjo ceremoni është zhvilluar tek Amfiteatri i Liqenit, një vend i denjë për një ngjarje kaq të rëndësishme për ne dhe familjet tona. Këtë vit, fillimisht u tha se Amfiteatri nuk do të përdorej për shkak të restaurimit. Tani, na është komunikuar se do të mbahet aty “Miss Albania”, një aktivitet pa ndonjë rëndësi publike.
Jemi më shumë se 400 nxënës që presim të festojmë përfundimin e një etape të rëndësishme të jetës sonë me prindërit dhe mësuesit tanë, të gjithë kontribuues të rregullt në taksat e këtij qyteti. A nuk kemi më shumë të drejtë ne të përdorim një hapësirë publike, se sa një spektakël që nuk i sjell vlerë komunitetit?
Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se ajo që na është ofruar çdo vit: dinjitet dhe respekt për mundin tonë. Bashkia e Tiranës duhet të rishikojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje për një datë ku Amfiteatri nuk është i zënë. Kërkojmë trajtim të barabartë dhe të drejtë!