Prindërit e Arbnor Spahiut kundërshtojnë akuzat e Serbisë: Djali ynë është i pafajshëm

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 16.06.2025, 14:14

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu tash e një javë po mbahet në paraburgim në Serbi.

Ai u arrestua në kufirin Hungari-Serbi, në pikën kufitare në Hogrosh.

Prindërit e Arbnorit së fundmi kanë reaguar publikisht lidhur me ndalimin e djalit të tyre në Serbi, duke e cilësuar atë një “akuzë të padrejtë dhe të pabazë”.

Sipas tyre, Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022 dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt.

Në deklaratën e tyre thuhet se ngjarja për të cilën ai akuzohet “ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast”.

Ata shtojnë se çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me këtë ngjarje është “jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme”.

Prindërit e Arbnorit konsiderojnë ndalimin e tij si “një shkelje të rëndë të të drejtave të tij si qytetar, e cila bie ndesh me çdo parim të drejtësisë dhe logjikës ligjore”.

Ata theksojnë se djali i tyre është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën po mbahet.

“Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinion publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm – e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet”, thuhet në deklaratën e prindërve të ish-zyrtarit policor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit