Nënat që përfitojnë lejen e lindjes po përballen sërish me vonesa shqetësuese në derdhjen e pagesave mujore. Edhe pse zakonisht këto para janë hedhur në fillim të çdo muaji, këtë muaj data shënon 16 dhe akoma nuk është bërë asnjë pagesë për këtë muaj. Një nënë që ka lindur në janar shprehet se kjo situatë është e papranueshme, sidomos kur bëhet fjalë për familje që mbështeten tërësisht te ky përfitim për të mbuluar nevojat bazë të foshnjes.
Shumë prej këtyre grave janë të papuna, jetojnë me qira dhe nuk kanë asnjë burim tjetër të ardhurash. Çdo vonesë në pagesa nënkupton pamundësi për të blerë ushqim për fëmijën, për të siguruar higjienën minimale dhe për të paguar detyrimet e përditshme. Në vend që të jenë të qeta dhe të përqendruara te kujdesi për foshnjën, këto nëna janë të detyruara të jetojnë në ankth dhe pasiguri financiare.
"Pershendetje. Perseri nuk jane derdhur keto leket e lejes se lindjes per nenat e reja. Nuk e kuptoj , ka nena qe mezor i presin, jane me qera , duan ti blene qumesht e pampersa bebave dhe nuk kane burim tjeter te te ardhurave. Ju lutem ndaje kete shqetesim. Anonim. Nuk kane futur ende te ketij muaji.kam lindur n.e janar. Nuk kane dale leket e Qershorit. Zakonisht futeshin ne fillim te muajit. Dhe muajin e kaluar kishin shprehur shqetesim ne faqen tuaj I hodhen ne dt 10. Kete muaj tani data 16 ende sjan hedhur", shkruan denoncuesja.
I bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë dhe të zgjidhin këtë problem të përsëritur. Pagesat për lejen e lindjes nuk janë ndihmë bujare, por një e drejtë që nuk duhet shkelur. Është koha që shteti tani që mori mandatin e katërt të tregojë përgjegjshmëri dhe të mbrojë nënat dhe fëmijët në ditët e tyre më të ndjeshme.