Roven Zeka, ish-shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, i cili u bë lajm në muajin prill për tentativën për t’i shpëtuar arrestimit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkon tashmë të dalë nga burgu.
Ai është arrestuar së bashku me Sokol Novakun, shef i hetimit të aksidenteve, dhe Edison Tabakun, oficer i policisë gjyqësore, nën akuzën për korrupsion. Sipas hetimeve, ata dyshohet se morën rreth 2 000 euro nga një biznesmen për të manipuluar provat e një aksidenti, ku ishte përfshirë bashkëshortja e këtij të fundit.
Gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar arrestimit në 19 prill, Zeka raportohet se u rrëzua dhe dëmtoi gjunjët, teksa disa orë pasi lajmi bëri bujë në media, ish-polici u vetëdorëzua në komisariat i shoqëruar nga një fotograf që po i bënte video për të treguar se asgjë nga ajo që u raportua nuk ishte e vërtetë.
Pas më shumë se dy muajsh në paraburgim, Zeka ka paraqitur një kërkesë për zbutje të masës së sigurisë, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore është e paqëndrueshme. Ka raportime të ndryshme se Roven Zeka ka thyer këmbën në ambientet e burgut gjatë një ndeshje kalçeto, e deri tek dyshimet se ai është dhunuar në qeli, duke i shkaktuar fraktura në legen.
Pavarësisht versioneve të ndryshme, ajo që është e qartë është se Zeka nuk ndihet rehat pas hekurave dhe duket i vendosur të kërkojë çdo rrugë ligjore për të rifituar lirinë.