Në kulmin e vapës së qershorit, qytetarët që udhëtojnë nga Durrësi drejt Golemit dhe anasjelltas po përballen me një situatë të papranueshme në transportin urban. Brenda një harku kohor prej 45 minutash, janë parë të kalojnë dy autobusë në drejtim të Durrësit, ndërsa asnjë mjet nuk ka shërbyer për udhëtimin drejt Golemit. Për pasagjerët që presin nën rrezet përvëluese të diellit, kjo është kthyer në një torturë të përditshme.
"Prsh JOQ. Doja te beja nje denoncim per autobusat e Golemit-Durres. Si ka mundesi brenda 45 minutave 2 autobusa ikin per Durres dhe per ne Golem nuk ka asgje. Kur do funksjonoj ndonjeher sherbimi transportit si duhet ketu ne shqiperi. Skandal, kur i pyet te thon ka trafik nderkoh qe vetem 2 autobusa kan gjithsej ne levizje. Flm. Ja si presim te gjith. Piku i vapes", shkruan qytetari.
Pyetur nga qytetarët, drejtuesit e mjeteve justifikohen me trafikun e rënduar, ndërkohë që duket qartë se në qarkullim ndodhen vetëm dy autobusë për gjithë linjën. Kjo tregon jo vetëm mungesë organizimi, por edhe një shpërfillje të plotë ndaj nevojave të banorëve dhe pushuesve, që në këtë periudhë janë gjithnjë e më të shumtë.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia dhe Autoriteti i Transportit për të garantuar një shërbim minimalisht të rregullt dhe dinjitoz.