Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin italian të Tolentinos pasditen e së shtunës, ku një 55-vjeçar shqiptar, Nikollaq Hudhra, dyshohet se vrau me thikë ish-bashkëshorten e tij, Gentiana, 45 vjeçe, në mes të rrugës, përpara dhjetëra kalimtarëve.
Sipas hetimeve paraprake, Hudhra e kishte ndjekur viktimën me një skuter, e kishte goditur nga pas 10 herë me thikë dhe më pas e kishte shqelmuar edhe pasi ajo kishte rënë përtokë. Mjeti i krimit, një thikë me teh rreth 30 cm, u gjet dhe u sekuestrua nga karabinierët. Pas aktit makabër, autori dyshohet se është ulur qetësisht në një stol afër trupit të pajetë të viktimës, duke pritur forcat e rendit. Disa dëshmitarë e kanë dëgjuar të thotë: “Tani telefononi karabinierët.”
Hudhra, që jetonte në Passignano sul Trasimeno dhe punonte si punëtor krahu në një fermë, kishte udhëtuar drejt Tolentinos një ditë më parë, duke sjellë me vete një makinë dhe një skuter për të mos tërhequr vëmendje. Sipas deklarimeve të tij para hetuesve, ai kishte fshehur thikën në një çantë plastike dhe në xhepin e kostumit të punës, duke e përgatitur sulmin në mënyrë të paramenduar.
Në dëshminë e tij, Hudhra ka pohuar se kishte vepruar për të “shpëtuar fëmijët”, duke pretenduar se ish-bashkëshortja kishte qëllim t’i helmonte ata, një pretendim që hetuesit po e verifikojnë me rezervë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet. Seanca dëgjimore për konfirmimin e masës së sigurisë pritet të zhvillohet brenda pak ditësh. Ndërkohë, është caktuar autopsia mbi trupin e viktimës.