Gjiri i Lalzit në kaos, qytetarët mbi 2 orë në trafik

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 15.06.2025, 19:50

Me nisjen e sezonit veror dhe fluksin në rritje gjatë fundjavave, akset rrugore që lidhin Tiranën me zonat bregdetare po përballen gjithnjë e më shumë me trafik të rënduar dhe situata kaotike. Një nga segmentet më problematike këtë të diel është ai Maminas – Gjiri i Lalzit, ku dhjetëra automjete janë bllokuar për më shumë se dy orë.

Përveç trafikut të zakonshëm, shqetësimi kryesor këtë herë janë shoferët që, për të "shmangur" pritjen, zgjedhin të futen në parakalime të rrezikshme dhe kundravajtje, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e të tjerëve.

“Ju lutem publikoni pamjet dhe bëni thirrje që Policia Rrugore të marrë masa ndaj këtyre shoferëve të papërgjegjshëm. Ne që presim në kolonë për orë të tëra, ndërkohë ata hyjnë kundravajtje pa u ndëshkuar. Jemi prej dy orësh të bllokuar në rrugën Gjiri i Lalzit–Maminas,” shkruan një qytetar përmes mesazhit.

Ndërkohë, një tjetër qytetar i revoltuar shkruan: “Po kemi frikë të kthehemi në Tiranë nga specie të tilla të papërgjegjshme. Makina, madje dhe autobusë që futen kundravajtje për shkak të trafikut, duke u bërë burim aksidenti. Kjo është tentativë për vrasje. U duhet hequr patenta në vend dhe të ndëshkohen me burg!”

Apeli i qytetarëve është i qartë, mungesa e pranisë së policisë rrugore në këto segmente po lë hapësirë për shkelje të rënda që mund të përfundojnë në tragjedi. Në një kohë kur trafiku i fundjavës pritet të jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë verës, qytetarët kërkojnë që autoritetet të jenë më të pranishme në terren dhe më të rrepta ndaj çdo shkeljeje që rrezikon jetën në rrugë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit