Oqeanet e botës janë në gjendje më të rëndë nga sa ishte menduar më parë, paralajmërojnë shkencëtarët. Një matje kyçe ka treguar se acidifikimi i ujërave detare i njohur si “binjaku i errët” i krizës klimatike ka kaluar tashmë kufirin planetar. Ky proces ndodh kur oqeanet përthithin sasira të mëdha të dioksidit të karbonit, duke ulur ndjeshëm nivelin e pH-it të ujit dhe duke rrezikuar jetën detare. Deri më tani, mendohej se ky kufi nuk ishte tejkaluar, por studimet e fundit tregojnë të kundërtën.
Sipas një studimi të përbashkët nga disa institucione kërkimore ndërkombëtare, përfshirë Laboratorin Detar të Plymouth dhe NOAA-n amerikane, kufiri i acidifikimit u kapërcye rreth vitit 2020. Ata përdorën të dhëna historike dhe modele të avancuara për të analizuar ndryshimet në 150 vitet e fundit. Në shumë zona të botës, përqendrimi i karbonatit të kalciumit i nevojshëm për formimin e guaskave dhe skeleteve të specieve detare ka rënë më shumë se 20% në krahasim me periudhën para-industriale, një tregues alarmues për ekosistemet ujore.
Situata është edhe më e rëndë në thellësi: në 200 metra poshtë sipërfaqes, mbi 60% e ujërave kanë kaluar nivelin e sigurt të acidifikimit. Si rezultat, krijesa të ndjeshme si koralet, molusqet dhe fluturat e detit përballen me vështirësi në formimin e strukturave mbrojtëse, duke ndikuar negativisht në rritjen, riprodhimin dhe mbijetesën e tyre. Shkencëtarët e përshkruajnë këtë fenomen si një bombë me sahat për biodiversitetin detar dhe për ekonomitë që varen prej tij.