Një denoncim për shëndetësinë që lë për të dëshiruar ka mbërritur gjatë ditës së sotme në redaksinë e JOQ Albania. Në këtë denoncim vihet në pah se qendra shëndetësore e Ksamilit, një nga zonat më turistike të vendit e frekuentuar gjerësisht nga vendas e të huaj, po përballet me një situatë shqetësuese.
Qytetarja shkruan se është paraqitur për të marrë ndihmën e parë në qendrën shëndetësore të Ksamili, por i është komunikuar nga bluzat e bardha se nuk ka asnjë ilaç, teksa është detyruar që këto ilaçe t’i sigurojë nga një farmaci. Më konkretisht qytetares i është dashur të blerë vet serum dhe analginë.
Qytetarja shkruan se në dollapin e qendrës shëndetësore ishin këto medikamente, por sërish nuk i është ofruar as serumi as analgina, por i është dashur t’i sigurojë nga farmacia me lekët e xhepit të saj. Qyetarja thotë se kur ia ngriti si shqetësim mjekes, nuk pati asnjë reagim ndihmues apo sqarues për rastin.
“Persh joq dua te bej nje denocim per qendren shendetsore te ksamilit erdhem te marin ndihmen e pare dhe nuk kish asnje lloj ilaci me derg ne farmaci te blija serum dhe analgin ndekoh ne dollap ka serum,nuk e di cfar behet,sapo ja thash doktorreshes ankese spo na ndihmon fare,shendetsia si mos me keq ju lutem postojeni qe te meren masa se esht turp jemi dhe vend turistik”, shkruan qytetarja për redaksinë e JOQ Albania.
Ndihma e parë, që duhet të jetë në dispozicion të qytetarëve në çdo kohë, është kthyer në një shërbim formal, ku në vend që të trajtohesh, të çojnë të blesh atë që shteti duhet të ofrojë falas. Kjo situatë është e papranueshme, veçanërisht në një zonë që pret mijëra turistë çdo sezon.
Është e nevojshme që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë menjëherë dhe të marrin masa konkrete për të garantuar funksionimin e duhur të qendrës shëndetësore të Ksamilit. Shëndeti i qytetarëve dhe vizitorëve nuk mund të lihet në harresë.