Një akt trimërie i jashtëzakonshëm ka lënë pa fjalë komunitetin e Gambassi Terme në Itali.
Një i ri shqiptar, ka shpëtuar jetën e një djali të ri që po rrezikonte të binte nga kati i tretë i një ndërtese në qendër të qytetit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës së kaluar, dhe vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë dhe guximtare të 29-vjeçarit shqiptar, u shmang një tragjedi e madhe.
Sipas dëshmive dhe rindërtimit të ngjarjes, shqiptari ndodhej në Gambassi për të kërkuar një vendbanim, kur nga një apartament që po vizitonte, vuri re një të ri në një pozicion të rrezikshëm në një ndërtesë përballë. Pa humbur kohë, ai ndërhyri dhe arriti ta kapte për këmbësh në ajër gjatë rënies, duke shmangur përplasjen fatale me tokën.
I riu i shpëtuar ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shqiptari është shpallur hero lokal nga qytetarët dhe institucionet.
Kryetari i bashkisë, Sergio Marzocchi, e falënderoi publikisht shqiptarin përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili u bë viral në pak orë. Ai deklaroi se veprimi i të riut shqiptar është një shembull i vërtetë i heroizmit dhe humanizmit në kohë të vështira.
“Një akt që jo vetëm shpëtoi një jetë, por ofroi një shembull të gjallë se çfarë do të thotë të jesh hero në komunitetin tonë,” u shpreh Marzocchi, duke shtuar se komuna do të shqyrtojë mundësinë e dhënies së shtetësisë së nderit për shqiptarin.
Aktualisht, Gambassi Terme nuk ka një rregullore për dhënien e qytetarisë së nderit, por autoritetet lokale kanë bërë të ditur se do të hartojnë një të tillë, dhe shqiptaei pritet të jetë një nga qytetarët e parë që do ta marrë këtë nder.
Ngjarja ka zgjuar një ndjenjë të fortë solidariteti dhe vlerësimi ndaj të riut shqiptar, i cili me një veprim të vetëm, ka lënë gjurmë të thella në zemrat e banorëve të Gambassit.