21 qershori shënon hapin e radhës për PDK-në, Memli Krasniqi i vetëm në garë për kryetar

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 15.06.2025, 15:12

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për media sot, ka njoftuar mbajtjen e Konventës së Përgjithshme të PDK-së, e cila do të mbahet më 21 qershor 2025 dhe do të ketë karakter zgjedhor.

Çitaku theksoi se kjo Konventë, e njëmbëdhjeta me radhë, është një moment domethënës për partinë, jo vetëm si detyrim statutar, por si një konfirmim i fuqisë demokratike dhe unitetit të brendshëm të PDK-së.

“Nën udhëheqjen e Kryetarit Memli Krasniqi, katër vitet e fundit kanë qenë vite të punës, reformës dhe ringritjes për PDK-në. Ne kemi shënuar fitore të rëndësishme në zgjedhjet lokale, kemi rritur ndjeshëm mbështetjen qytetare në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe kemi bërë hapa të mëdhenj drejt ndërkombëtarizimit të partisë sonë”, tha Çitaku.

Ajo gjithashtu njoftoi se i vetmi kandidat për Kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës në këtë Konventë është Memli Krasniqi, aktualisht Kryetar i PDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës është parti me përvojë shtetformuese, me histori ndërtuese, dhe me kapacitet për të udhëhequr Kosovën drejt kapitullit të ardhshëm të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik. Ndaj, me këtë Konventë, ne nuk po zgjedhim vetëm drejtimin e partisë, por po përgatitemi për drejtimin e vendit”, ka thënë Çitaku.

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës shtoi se fitorja e radhës nis më 21 qershor dhe do të vazhdojë me 12 tetor, në zgjedhjet lokale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit