Për herë të parë në historinë e saj, Danimarka ka miratuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë, duke i vendosur ato në të njëjtin nivel me meshkujt përsa i përket mbrojtjes kombëtare.
Parlamenti danez miratoi mbrëmë ligjin pa asnjë votë kundër, duke vendosur që çdo vajzë 18-vjeçare do të kryejë 11 muaj shërbim ushtarak – njësoj si bashkëmoshatarët e tyre djem. Trajnimi pritet të nisë që nga muaji i ardhshëm, sipas njoftimit zyrtar.
Deri tani, pjesëmarrja e grave në ushtri ishte vullnetare dhe vetëm për 4 muaj, por ndryshimi i situatës globale dhe sfidat e sigurisë në Evropë kanë bërë që qeveria daneze të zgjedhë këtë hap të pazakontë.
Ministri i Mbrojtjes, Lund Poulsen, deklaroi:
“Për shkak të situatës aktuale të sigurisë, forcat e armatosura duhet të tërheqin më shumë rekrutë.”
Danimarka përdor një sistem “llotarie” për të përzgjedhur rekrutët, në rast se nuk ka vullnetarë të mjaftueshëm, dhe tani ky proces do të përfshijë edhe vajzat.
Qëllimi është që çdo vit 7,500 të rinj, gra dhe burra, të hyjnë në radhët e ushtrisë, për të forcuar kapacitetet aktive që aktualisht përbëhen nga 24,000 ushtarë.