Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zbuluar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, ku të dy janë shprehur se konflikti mes Izraelit dhe Iranit duhet të marrë fund.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump tha:
“Presidenti Putin më telefonoi këtë mëngjes për të më uruar ditëlindjen, por më e rëndësishmja për të folur për Iranin, një vend që ai e njeh shumë mirë. Ne folëm gjatë për këtë çështje. Ai mendon, ashtu si unë, se kjo luftë midis Izraelit dhe Iranit duhet të marrë fund. I shpjegova se edhe lufta e tij duhet të marrë fund.”
Sipas Trump, telefonata zgjati rreth një orë dhe përveç urimeve personale, fokusi kryesor ishte mbi krizën në Lindjen e Mesme dhe situatën globale të sigurisë.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar zyrtarisht telefonatën mes Presidentit Trump dhe Presidentit Putin.
Deklarata e Trump ka ngjallur reagime ndërkombëtare, sidomos për mënyrën e drejtëpërdrejtë me të cilën i është drejtuar Putinit, duke i bërë të qartë se edhe lufta e Rusisë – e kuptuar si lufta në Ukrainë – duhet të përfundojë.