Lufta Izrael-Iran ka sjellë pasoja dhe kaos në fluturime. Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit në kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive të kryera nga Izraeli ndaj objekteve bërthamore dhe bazave ushtarake të Iranit të premten në mbrëmje. Që prej së premtes kur nisi sulmi izraelit ndaj Iranit, mijëra udhëtarë në mbarë botën po përballen me anulime të shumta të fluturimeve.
Uebsajti i monitorimit te fluturimeve “Flightradar” tregon 9 sekondat se si u pastrua nga avionët hapësira ajrore mbi Iran, menjëherë pasi Izraeli sulmoi me raketa zemrën e programit bërthamor te Teheranit. Hapësira ajrore përgjatë Iranit, Irakut, Izraelit dhe Jordanisë u përfshi nga kaosi.
Shumë fluturime u devijuan dhe mijëra pasagjerë u bllokuan. Aeroportet në Izrael janë mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm dhe kompanitë ajrore kanë anuluar fluturimet drejt rajonit. Pas sulmit, Irani, Iraku, Jordania dhe Siria mbyllën gjithashtu hapësirën e tyre ajrore. Eurocontrol vlerëson se të paktën 1800 fluturime janë prekur deri më tani vetëm për në Evropë dhe anasjelltas.