Konvikti i vajzave në Vlorë është si mos më keq dhe sikur të mos mjaftonin kushtet skandaloze, është bërë një njoftim edhe për rritjen e pagesës së qëndrimit. Një studente që banon në atë konvikt, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një mesazh ku tregon se konvikti i vajzave në Vlorë, ku aktualisht shumë studente banojnë kundrejt një pagese prej 60 mijë lekësh në muaj, do të pësojë një rritje të çmimit duke filluar nga data 1 korrik, duke e çuar tarifën në 80 mijë lekë. Kjo rritje absurde vjen në një kohë kur kushtet janë nën çdo standard. Sipas studentes orenditë janë jashtë funksionit, pastërtia mungon krejtësisht, pianura e sobës nuk punon, dushet janë të prishura dhe ndriçimi në ambiente është minimal dhe këto i fakton përmes pamjeve.
Në vend që të përmirësohen kushtet, studentet përballen me tarifa të padrejta. Larja e rrobave në lavatrice paguhet veçmas, megjithëse ato shpesh nuk funksionojnë. Uji i ngrohtë ofrohet vetëm për dy orë në mëngjes dhe dy orë në darkë, ndërsa dhomat janë aq të vogla sa mezi qarkullon oksigjeni për dy persona. Asnjë kondicioner, asnjë freskuese, dhe gjatë verës temperaturat bëhen të papërballueshme. Në një kohë kur sezoni i provimeve mbyllet në mes të korrikut dhe mundësitë për të punuar janë minimale, është e padrejtë që gjysma e një rroge mujore të shkojë për një shërbim që nuk i afrohet aspak asaj që paguhet.
Për më tepër, ambientet e konviktit janë kthyer në një lloj biznesi informal, ku strehohen persona të ndryshëm, nga turistët e deri te punëtorët sezonal, duke përjashtuar në thelb vajzat që janë rezidente dhe që duhet të kenë prioritet.
MESAZHI DENONCUES I STUDENTES QË JETON NË KONVIKTIN E VLORËS:
Përshendetje JOQ. Deshiroj te bej publik një shqetesim për Konviktin e Vajzave Vlore. Unë jam një studente qe banoj këtu kundrejt pageses 60 mije lekë në muaj,,, por kjo ndryshoj sic shihet edhe në foto nga data 01/07/2025 shkon 80 mije lekë ,,, gje qe eshte shumë absurde sepse kushtet jan të këqija , shumica e orendive jashte funksionit dhe fjala pasterti nga ana e stafit për fat të keq nuk ekziston. Pianuri i sobës jasht funksioni, dushet të prishura , as drita nuk ka tamam, lavatricet i paguajm në cdo larje dhe ato nuk punojn dhe më falni por për cfar duhet ti paguaj një studente e thjesht 80 mije lekë??? Sezoni i provimeve mbyllet ne mes të korrikut jemi të detyruar ti pagojm as bëhet fjal të punojm nl Vlore gjat veres sepse rrogat jan akoma 400 mij lekë dhe gjysmat do ja japësh “Tutorëve” të konviktit. Duke mos mjaftuar kjo e kan kthyer edhe në pazar ku mund të akomodohet cdo njeri pa problem duke filluar nga turistat, të moshuarit , puntoret sezonal etj,,, Kta zonterinjt nqs duan të përfitojn mos ta bëjn me ne studentet por me turistat qe marin këtu tek hoteli i tyre me 6 yje. Edhe ne kemi të drejten tonë te rrim këtu gjat veres edhe të punojm ama jo të na i han gjysmen e rroges këta sepse dhe në tiran konvikti 50 mij leke kushton , ky nuk eshte vetem shqetesimi im por edhe zëri i te gjithave atyre vajzave qe nuk kan guximin te bëjn publike të tilla raste abuzive Ujë i ngroht 2 ore në mengjes ,2ore ne dark , dushet kycyr, as kondicioner as freskuese, mos të flasim për dhomat 2m katror qe as oksigjeni nuk mjafton për dy persona.
Ky shqetësim nuk është vetëm i një studenteje, por zëri i shumë vajzave që nuk kanë guximin të flasin. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të ndërhyjnë, të hetojnë abuzimet dhe të mbrojnë të drejtat e studenteve.