Arrestohet ish-Presidenti i Urdhrit të Stomatologut, shpërdoroi buxhetin e institucionit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.06.2025, 12:27

Arrestohet ish-Presidenti i Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda. Tetë muaj pasi dosja ndaj ish-kreut të Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda, kaloi për gjykim, ai është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Arrestimi i 70-vjeçarit u bë për shkak të dyshimeve se ai mund të pengojë hetimet apo t’i shmanget drejtësisë. Sipas organit të akuzës, Deda ka ndërmarrë veprime aktive që cenojnë procesin hetimor edhe pse është në një tjetër proces gjyqësor për shpërdorim detyre.

Deda përballet me tre akuza penale: “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Ai dyshohet se ka abuzuar me fondet e Urdhrit të Stomatologut dhe ka punësuar persona të afërt e familjarë në mënyrë të paligjshme. Hetimet janë nisur pas një kallëzimi qytetar.

Sipas Prokurorisë, Deda ka rritur në mënyrë të pajustifikuar buxhetin e institucionit që drejtonte. Nga 38.5 milionë lekë në vitin 2020, buxheti është rritur në 125.8 milionë lekë në vitin 2022, rritje që përfshin edhe blerjen e një godine të re. Organi i akuzës dyshon se këto fonde janë përdorur për përfitime personale, dhe jo për interesin publik.

Gjithashtu, hetimet tregojnë se Deda ka përqendruar kompetencat në mënyrë të qëllimshme dhe ka ndikuar në vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar përmes punësimeve klienteliste. Këto veprime, sipas Prokurorisë, përbëjnë rrezik për zvarritjen e procesit dhe manipulimin e provave, ndaj është vendosur masa e arrestit me burg ndaj tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit