Një lidhje e çuditshme dhe tronditëse ka dalë në pah pas aksidentit ajror të ndodhur së fundmi në Indi, ku një avion i linjës Air India, tipi Boeing 787, u rrëzua mbi disa ndërtesa pak pas nisjes drejt Londrës, duke shkaktuar vdekjen e mbi 300 personave.
Por ajo që tërhoqi vëmendje të madhe ishte fakti se i vetmi i mbijetuar, pasagjeri Vishuash Kumar Ramesh, ishte ulur në sediljen 11A – një vend që në mënyrë të pabesueshme është i lidhur edhe me një tjetër aksident ajror të ndodhur në vitin 1998 në Tajlandë.
Pas publikimit të këtij detaji, këngëtari i njohur tajlandez Ruangsak Loychusak, 47 vjeç, reagoi publikisht duke kujtuar një përvojë të ngjashme që për pak i mori jetën: ai ishte ulur po në sediljen 11A kur mbijetoi nga rrëzimi i fluturimit TG261 të linjës “Thai Airways” më 11 dhjetor 1998.
Në atë aksident, avioni u rrëzua gjatë përpjekjes për të zbritur në kushte të vështira atmosferike në qytetin Surat Thani. Nga 146 persona në bord, humbën jetën 101.
“Kur lexova për aksidentin në Indi dhe zbulova vendin ku ishte ulur i mbijetuari, u drodha. Nuk është një rastësi që mund ta injorosh lehtë,” u shpreh Loychusak për mediat tajlandeze.
Ai rrëfeu gjithashtu se pas aksidentit përjetoi një traumë të thellë që zgjati më shumë se një dekadë. “Për 10 vjet nuk mund të fluturoja. Më merrej fryma sapo hipja në avion. Nuk i lejoja as të mbyllnin dritaren pranë meje. Rrija i ngrirë në vend, me sy nga jashtë, në ankth.”
“Ende mbaj mend tingujt e kabinës, aromën e karburantit, dhe madje edhe shijen e ujit në kënetën ku ramë,” shtoi ai.
Ngjashmëria befasuese mes këtyre dy rasteve — të ndarë nga 26 vjet dhe mijëra kilometra larg — ka nxitur diskutime në rrjetet sociale, me shumë përdorues që i referohen sediljes 11A si “vendi i mbijetesës” në aksidente ajrore.