Tabloidi britanik The Mirror i ka kushtuar një artikull qytetit bregdetar të Durrësit duke e cilësuar si një Ibiza në versionin jo të shtrenjtë. Vlerësimi është bërë nga AirBnb duke parë rritje prenotimesh të apartamenteve në kulmin e sezonit veror.
ARTIKULLI I THE MIRROR
Qyteti bregdetar shqiptar shpallet “Ibiza” në vendin më të lirë të Europës
Airbnb, e ka cilësuar Durrësin një imitim të lirë të Ibizës, duke qenë se ofron plazhe mahnitëse e të pastra dhe jetë nate të gjallë.
Në një raport për prirjet e udhëtimeve për verën e vitit 2025 për qytetarët britanikë, me klube plazhi dhe jetë nate në rritje, ky qytet shqiptar është ideal për ata që duan të përjetojnë atmosferën e Ibizës me një buxhet më të pakët.
“Shtetasit britanikë po kërkojnë gjithnjë e më shumë destinacione plot gjallëri, që ofrojnë të njëjtin sharm bohem dhe jetë nate të zhurmshme si Ibiza por pa çmimet e kripura”, thuhet në raportin e Airbnb.
Durrësi në Shqipëri, është një prej këtyre perlave. Airbnb konfirmon se kërkimet për këtë qytet në bregdetin e Adriatikut janë “në bum” për momentin, pasi britanikët po eksplorojnë destinacione pushimi më të lira. Por Durrësi është më shumë sesa një zëvendësues i një destinacioni të njohur, ai ka një histori të pasur që pret të zbulohet nga turistët.
Durrësi është një nga qytetet portuale më të vjetra dhe më të rëndësishme në Ballkan, me një histori që daton prej gati 3,000 vitesh. Kjo trashëgimi i ka dhënë Durrësit epitetin “qyteti i përjetshëm” në detin Adriatik.
Një nga arsyet kryesore për të vizituar zonën janë padyshim plazhet e saj me rërë. Durrësi ka disa prej plazheve më të bukura të Shqipërisë, të përshtatshme si për adhuruesit e sporteve ujore, ashtu edhe për ata që thjesht duan të pushojnë në diell.
Plazhi më i njohur në qytet është ai që mban emrin e vet: Plazhi i Durrësit. Harku i artë i rërës është krahasuar me Rivierën Franceze dhe karakterizohet nga uji i cekët dhe rëra e butë. Megjithatë, pranë zonave të portit ndodhen shkëmbinj të fshehur, prandaj duhet të merrni me vete këpucë uji.
Për ata që kërkojnë më shumë aventurë, mund të merrni me qira motorë uji ose të provoni parasailing në Plazhin e Durrësit. Në skajin verior të plazhit organizohen shpesh ndeshje volejbolli plazhi, por edhe seanca yoga nga klubet e mëdha të plazhit.
Nëse lëvizni më në veri nga Plazhi i Durrësit, do të arrini në një tjetër perlë lokale: Plazhin e Golemit. Rreth 20 kilometra në jug të qendrës së qytetit, ky plazh ia vlen të vizitohet, me rreth 3.5 kilometra rërë të artë dhe ujëra të kristalta. Gjithashtu, ka shumë plazhe të tjera të fshehta por edhe të frekuentuara që janë lehtësisht të arritshme nga qendra e Durrësit.
Plazhet pranë Durrësit:
Nëse doni një përvojë më kulturore, Durrësi ofron gjithashtu shumë galeri, teatro dhe muze për t’u eksploruar. Një nga më të vizituarit është Muzeu Arkeologjik, ku mund të shihen artefakte nga epoka të ndryshme historike.