Kriza e qirave nuk ka kursyer as qytetin e Fierit, ku çmimet për një apartament me qira kanë pësuar rritje të ndjeshme, duke arritur deri në 300 mijë lekë të vjetra në muaj.
Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare, brenda 5 viteve të fundit, çmimet janë rritur me mbi 40%, një zhvillim që po e vështirëson ndjeshëm jetesën për familjet me të ardhura të ulëta në këtë qark.
Arsyet kryesore për këtë rritje përfshijnë shpërnguljen masive të banorëve nga zonat rurale drejt qytetit dhe rritjen e kërkesës për akomodim nga punonjës të huaj të angazhuar në ndërtimin e centraleve fotovoltaike në zonat e Semanit dhe Darëzezës.
Në lagjet më të kërkuara të qytetit si “Kastriot”, “15 Tetori”, “1 Maji” dhe “Apolonia”, çmimet mujore të qirave variojnë nga 250-300 mijë lekë. Edhe në periferi, ku më parë qiratë ishin më të ulëta, tashmë çmimet arrijnë deri në 180 mijë lekë në muaj.
Një tjetër tendencë që po ndikon tregun është zhvendosja e shumë apartamenteve drejt qirave afatshkurtra në platforma si Airbnb, sidomos gjatë sezonit të verës. Kjo ka ngushtuar ndjeshëm ofertën për banorët vendas.
Ndërkohë, shumë pronarë po i shohin apartamentet si burim fitimi të qëndrueshëm, duke i kthyer ato në investime të qëlluara, kryesisht për t’u dhënë me qira turistëve që vijnë në Fier për turizëm shëndetësor.
Në mungesë të një politike të mirëfilltë për të kontrolluar tregun, rritja e pakontrolluar e qirave në Fier rrezikon të përjashtojë nga strehimi shtresat më të pambrojtura, ndërsa ndryshon gjithashtu edhe vetë raportin e qytetarëve me pasurinë e paluajtshme.