26 vite Kosovë e lirë, ish-ushtari i UÇK, Llapashtica: Faleminderit nëna Shqipëri dhe NATO, serbëve nuk ua falim

Shkruar nga: S H | Publikuar më: 13.06.2025, 17:15

Në 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës, TVA News zhvilloi një intervistë me një ish-ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ditët historike të qershorit 1999. Rafet Llapashtica ish- ushtar UÇK ndau për TVA News, kujtimet e luftës, emocionet e momentit kur Kosova u çlirua dhe krenarinë e të qenit pjesë e asaj lëvizjeje që i dha popullit shpresën, lirinë dhe dinjitetin popullit shqiptar të Kosovës.

“Kjo është data më e rëndësishme e Kosovës. Një datë që nuk do të harrohet përjetësisht as nga ish-ushtarët e UÇK dhe banorët që përjetuan ato ditë, por edhe nga brezat e ardhshëm. Ne si Ushtri Çlirimtare e Kosovës nga zona operative e Llapit jemi futur në kryeqytet në datën 11 qershor nën udhëheqjen e Rrustem Mustafës, komandant i zonës së Llapit dhe jemi vendosur në Prishtinë. Të nesërmen e datës 12 qershor kanë zbarkuar dhe trupat e NATOS në lagjen e Kolovicës. Ka qenë ditë gëzimi dhe emocioni atë ditë për të gjithë ne si luftëtarë, pasi kujtonim edhe vështirësitë në luftë, bashkëluftëtarët që humbëm, të cilët na mungojnë dhe sot, por dhe gëzimin si Kosovë e çliruar. Kjo ditë është pak e zbehtë për arsye se drejtuesit e UÇK janë ende në gjykim në dhomat e specializuar dhe nuk janë prezentë për të gëzuar këtë ditë”, u shpreh Rafet Llapashtica, ish-ushtar i UÇK.

Për gazetaren Sedjana Huna, ish-ushtari i UÇK, rrëfeu historinë e vërtetë dhe prekëse të 12 qershorit 1999 për ata që ishin në vijën e parë dhe për brezat që duhet ta dinë çfarë është sakrifikuar për këtë paqe. AI falënderoi në fillim shtetin nënë, Shqipërinë dhe shqiptarët për mikpritjen e bërë në atë kohë lufte, teksa tha se misioni u krye me sukses nga UÇK në tokë dhe NATO në ajër për të mposhtur serbët të cilët nga frika, sulmuan të pafajshmit e popullatës civile.

“Emocion i papërshkruar. Jemi falënderues ndaj NATO por edhe shtetit tonë nënës Shqipëri pa të cilën nuk do të kishim mundur të ndjekim këtë rrugëtim. Falenderimi i parë shkon për shtetin shqiptar, shtetin tonë dhe pastaj për NATO. Ka qenë një mision i përbashkët i UÇK dhe NATO të mposhtnin pas krimeve ndaj popullatës civile pasi nuk mund të ballafaqoheshin ndaj UÇK në tokë dhe NATOS nga ajri. Pa këtë mision të përbashkët ne nuk do të ishim si shqiptar këtu ku jemi, do të ishim serbë, ndaj falënderues ndaj atyre që na mirëpritën dhe na hapën derën”, tha Llapashtica.

26 vite nga çlirimi i Kosovës. Një rrugëtim i gjatë, me shumë sakrifica e me shumë humbje e përshkruajnë çlirimin e një populli të shkelur, por që në fund siguroi lirinë. URIME KOSOVË DHE SHEKULLOFSH!

PËR MË TEPËR NDIQNI INTERVISTËN ME ISH USHTARIN E UÇK, RAFET LLAPASHTICA:

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit