Dy fëmijët që u shpëtuan nga shqiptari hero Ledian Goga në lumin Arachthos në Arta, Greqi, nuk kanë asnjë shans që të mbijetojnë.
Në këtë përfundim të trishtë kanë dalë mjekët, që janë përkujdesur për adoleshentët, të cilët thonë se ata kanë pësuar vdekje klinike. Adoleshentët e moshave 13 dhe 14-vjeçare u futën në lumë për t’u larë, por rrjedha i mori me vete dhe ata u shpëtuan pas shumë minutash nga shqiptari që ndodhej në një kafe pranë zonës.
Ata u dërguan për kurim në spitalin pranë zonës së Artës, por ajo që po i mban në jetë aktualisht adoleshentët janë vetëm pajisjet mjekësore. Pavarësisht se në kushte kaq të rënda, mediat greke raportojnë se prindërit e tyre kanë vendosur të dhurojnë organet e fëmijëve për personat në nevojë.
Mungesa e oksigjenit gjatë qëndrimit në ujë bëri që të vegjlit të humbnin funksionin e shumë organeve jetësore, dhe mjekët arritën që t’i stabilizonin mushkritë.
Miqtë e tyre kanë vendosur lule në vendin ku ata u nxorën nga uji, dhe shkruan një letër: “Do t’ju kujtojmë gjithmonë, ju ikët si heronj. Shoqëria juja!”