Djali i ra në pishinë, shqiptarja futet për ta shpëtuar dhe mbytet bashkë me të

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.06.2025, 11:02

Një ngjarje tragjike ka tronditur lagjen Lachine të qytetit të Montrealit, ku një grua 34-vjeçare dhe djali i saj trevjeçar kanë humbur jetën mbrëmjen e së martës, si pasojë e mbytjes në një pishinë rezidenciale.

Viktimat janë identifikuar si Elzina Ramosaj Morina dhe djali i saj i vogël, Elon Morina, me origjinë nga komuna e Deçanit në Kosovë. Sipas Policisë së Montrealit (SPVM), oficerët u thirrën në vendngjarje rreth orës 21:35 në një shtëpi në Avenue-n e 20-të pranë Rrugës Provost, ku gjetën nënën dhe fëmijën pa shenja jete.

Përpjekjet e ndihmës së shpejtë për t’i rikthyer në jetë nuk patën sukses, dhe të dy u shpallën të vdekur në vend.

Hetimet paraprake tregojnë se bëhet fjalë për një aksident tragjik. Dyshohet se fëmija ka rënë i pari në pishinë, ndërsa nëna është hedhur për ta shpëtuar, por ajo vetë nuk dinte not. Sipas mediave, gjithçka nisi pasi një top ra në ujë, duke çuar në një zinxhir ngjarjesh fatale.

Kryetarja e lagjes Lachine, Maja Vodanovic, e përshkroi ngjarjen si “makthin më të keq të mundshëm”, ndërsa fqinjët shprehën pikëllimin dhe tronditjen e tyre për këtë humbje të madhe.

Familja dhe komuniteti shqiptar janë duke u organizuar për të ofruar mbështetje dhe për të nderuar jetën e Elzinës dhe të voglit Elon, të cilët u ndanë nga jeta në mënyrën më të dhimbshme të mundshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit