Policia aksion natën, pushuesit s’lejohen të vendosin çadra në plazhin publik

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.06.2025, 10:41

Pushuesit dhe banorët në plazhin e Golemit po përballen me pengesa të vazhdueshme për përdorimin e hapësirave bregdetare.

Qytetarëve nuk po u lejohet vendosja e çadrave personale në rërë, ndërkohë që autoritetet nuk kanë përcaktuar ende nëse zona në fjalë është plazh publik apo truall me status privat.

Sipas deklarimeve të policisë, vendimi mbi statusin e këtij segmenti të plazhit nuk është finalizuar, duke krijuar një situatë absurde për pushuesit që nuk dinë nëse ndodhen në një hapësirë të lirë për përdorim apo në pronë të administruar nga subjekte private.

Për më tepër, pushuesit raportojnë se është hequr edhe tabela që sinjalizonte zonën e dedikuar për personat me aftësi të kufizuara, duke ngjallur reagime të forta dhe dyshime për zhvendosjen e heshtur të vijës publike të plazhit.

Ndërkohë, Policia e Kavajës ka ndërmarrë një operacion gjatë natës në kuadër të planit “Plazhi i Lirë”, duke ushtruar kontrolle në të gjithë vijën bregdetare të Golemit. Si rezultat, u hoqën 70 komplete çadrash dhe shezlongësh të vendosura pa leje përkatëse, jo vetëm nga subjektet private, por edhe nga qytetarë të zakonshëm.

Megjithatë, banorët dhe pushuesit shprehen të revoltuar, duke theksuar se ndërhyrjet po penalizojnë edhe individët që nuk ushtrojnë veprimtari tregtare, por thjesht kërkojnë të vendosin një çadër në rërë për të pushuar me familjet e tyre.

Në prag të sezonit turistik, qytetarët i bëjnë thirrje institucioneve që të sqarojnë ndarjen mes hapësirave publike dhe private, dhe të sigurojnë të drejtën e të gjithëve për një pushim të lirë dhe të sigurt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit