Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Saukut, në një segment të Unazës së Madhe të Tiranës, ku një automjet ka përplasur një person që udhëtonte me skuter. Ngjarja është regjistruar pranë mbikalimit, në një zonë me qarkullim të dendur dhe shpejtësi të lartë.
Sipas mesazhit të dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar i pranishëm në vendngjarje:
“Si kaluat, sapo ka ndodhur një aksident në Sauk. Makina ka shtypur një njeri me skuter. Anonim.”
Deri në këto momente nuk ka informacion të konfirmuar mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarit, ndërsa policia dhe ambulanca raportohet se kanë mbërritur në vendngjarje.
Ky aksident ngre sërish alarmin për rrezikun që paraqet përdorimi i skuterëve elektrikë apo motorrëve të vegjël në akse të mëdha urbane si Unaza e Madhe, e cila funksionon praktikisht si një autostradë me trafik të rënduar dhe shpejtësi të lartë.
Në këtë segment qarkullimi i mjeteve të lehta me rrota si skuterët jo vetëm që është i ndaluar me ligj, por përbën një rrezik serioz për jetën e drejtuesve të tyre, duke u kthyer shpesh në viktima të pafajshme të mungesës së kontrollit apo rregullimit të qarkullimit urban.
JOQ Albania u bën apel institucioneve për më shumë vëmendje, sinjalistikë dhe kontrolle në pikat kritike të qytetit, për të shmangur tragjedi të tjera që mund të parandalohen.