Vetëm pak orë pas publikimit të apelit të një nëne nga Durrësi në JOQ Albania, Fondacioni Golden Eagle, nën drejtimin e presidentit Shaqir Palushi, ka reaguar menjëherë duke ndarë një ndihmë prej 5,000 eurosh në ilaçe dhe ushqime të posaçme për familjen.
Historia prekëse e Linditës, e cila kërkoi ndihmë për të birin e saj të sëmurë rëndë, preku mijëra shqiptarë. Ajo kishte trokitur në derën tonë jo për lëmoshë, por për të shpëtuar jetën e djalit të saj që ushqehet me sondë dhe ndodhet në një gjendje të rënduar shëndetësore. Pas një ndërhyrjeje të suksesshme në Francë, autoritetet e kthyen në Shqipëri, ku përballja me mungesën e barnave, ushqimeve të posaçme dhe pajisjeve mjekësore po i vë jetën e fëmijës në rrezik të vazhdueshëm.
E zhgënjyer nga institucionet, Lindita kërkoi ndihmë nga njerëzit, dhe reagimi nuk vonoi. Fondacioni Golden Eagle u angazhua menjëherë për të siguruar ndihmën e nevojshme, duke treguar edhe një herë se është pranë çdo shqiptari në nevojë. Kjo nuk është hera e parë që fondacioni reagon ndaj rasteve të publikuara në JOQ Albania. Me dhjetëra raste janë ndihmuar ndër vite me para, ushqime, ilaçe dhe banesa, gjithmonë përmes sinjalizimeve të ardhura në redaksinë tonë.
Kjo ndihmë është një shembull frymëzues i solidaritetit dhe bashkëpunimit që mund të shpëtojë jetë. Falenderojmë nga zemra Golden Eagle për besimin, mbështetjen dhe reagimin e menjëhershëm. Sepse kur shteti hesht, është populli që flet. Dhe JOQ është gjithmonë zëri i tyre.