Bledar Xhemali, drejtori që i trajton kufomat si plehra dhe i përdor për të vjedhur tendera

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12.06.2025, 20:03

Një skandal i rëndë ka shpërthyer sot në Tiranë pas raportimit tronditës se trupi i një të riu, që u hodh nga godina 12 në Qytetin Studenti pesë ditë më parë, është lënë të kalbet në morgun e kryeqytetit. Viktima është ende e paidentifikuar, askush nuk është kujdesur për të, dhe sipas burimeve të JOQ Albania, trupi ndodhet në kushte çnjerëzore me myk, qelbëzim dhe insekte që kanë filluar të ushqehen mbi të.

Në qendër të kësaj ngjarjeje makabre është Bledar Xhemali, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore — i njohur si “morgu” — një emër që nuk është i panjohur për publikun, por jo për arsyet që do duhej. Sepse Bledar Xhemali është personifikimi i një sistemi që jo vetëm ka dështuar, por ka degraduar në vjedhje, shpërdorim dhe mungesë totale llogaridhënieje. Dhe për të, edhe të vdekurit janë thjesht mjete për të bërë para.

Tendera të manipuluar, fitues të paracaktuar, dhe para publike të zhdukura

Në vend që të përqendrohet te dinjiteti i trajtimit të trupave dhe hetimet mjekoligjore, Bledar Xhemali ka ndërtuar një sistem ku tendera manipulohen rregullisht në favor të klientëve të tij, me vlera që shpesh shkojnë deri në 97–100% të fondit limit. Rasti i fundit? Tenderi me referencë REF-77296-08-11-2023 për “blerje reagentesh dhe materialesh laboratorike”. Vlera: 13.2 milionë lekë të reja pa TVSH. Vetëm dy kompani marrin pjesë, njëra nuk jep ofertë, ndërsa tjetra shpallet fituese me një çmim që përkon çuditërisht me 97.3% të fondit. Fituesi? Kompania KRIJON, në pronësi të Piro dhe Fotion Zoga, të njohur për lidhjet me kupolën e tenderave.

Po e njëjta skemë, të njëjtët emra, ripërsëritet në tenderin me nr. REF-66742-04-20-2023, me objekt “blerje pajisje autopsie dhe laboratorike”, me një fond limit prej 25.8 milionë lekë pa TVSH. Tre firma marrin pjesë, dy nuk japin ofertë, e vetmja ofertë e dhënë — sërish nga KRIJON — shpallet fituese me një vlerë sa 99% e fondit limit. Fituesi dihej që në letër. Loja ishte mbyllur që më parë.

Dhe nëse menduat se vjedhja ndalet te reagensat dhe pajisjet, gaboheni rëndë. Sepse Xhemali ka kaluar në një tjetër nivel: vjedhje për ndërtimin dhe rikonstruksionin e vetë morgut që ai drejton. Tenderi me referencë REF-84253-10-18-2023, me vlerë 680 milionë lekë të vjetra me TVSH, u “fitua” nga një bashkim kompanish që ofroi 45 milionë lekë më shumë se një tjetër ofertë. Por sërish fituan — sepse gjithçka është teatër, ndërsa lekët ndahen prapa dyerve të mbyllura.

Nga vjedhja te dështimi moral: trupi i një të riu lihet të dekompozohet

Skandali i vërtetë që tronditi sot opinionin publik tregon se për Bledar Xhemalin, trupi i një të riu që humbi jetën tragjikisht është thjesht një tjetër numër pa emër. Ai nuk është kujdesur, nuk ka marrë asnjë masë dhe nuk ka asnjë ndjeshmëri për dhimbjen njerëzore. Morgu është kthyer në një kasolle pa etikë, ku dinjiteti i fundit i njeriut është lënë në mëshirë të mykut, qelbësirës dhe harresës. Kjo nuk është vetëm shpërdorim detyre. Kjo është një turp kombëtar.

As SPAK, as Ministria e Drejtësisë nuk lëvizin

Me gjithë denoncimet e përsëritura publike për manipulimin e tenderave dhe shpërdorimin e fondeve shtetërore, asnjë institucion nuk ka marrë masa. As Ministria e Drejtësisë, që mbikëqyr drejtpërdrejt Institutin e Mjekësisë Ligjore, e as SPAK, që duhej të kishte nisur hetime mbi një person që për vite të tëra ka vjedhur dhe abuzuar me paranë publike dhe me të vdekurit.

A do japë dorëheqje Bledar Xhemali apo do vazhdojë të gërryejë sistemin si krimbat mbi trupin e harruar?

Pasi në këtë vend, përgjegjësit jo vetëm që nuk ndëshkohen, por rrinë të qetë në zyrat e tyre të rehatshme, duke nënshkruar kontrata të reja dhe tendera të tjerë. Ndërsa viktimat e radhës — qoftë të gjallë apo të vdekur — i lëmë të kalben në heshtje.
Bledar Xhemali duhet të japë dorëheqjen sot, jo nesër.
Drejtësia duhet të zgjohet tani, jo pas një skandali tjetër më të rëndë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit