Një rast shqetësues po përsëritet prej kohësh në lagjen “29 Nëntori” të Fierit, ku një i moshuar, banor i zonës, akuzohet nga prindërit e lagjes për ngacmime ndaj fëmijëve, gjuhë të papërshtatshme dhe sjellje të dhunshme, përfshirë edhe kërcënime me thikë në prani të të miturve.
Sipas një prindi që ka kontaktuar redaksinë tonë, ky individ është raportuar disa herë në polici, madje është përfolur si person me prirje pedofile, por pavarësisht denoncimeve të mëparshme, asnjë masë nuk është marrë ndaj tij.
Ngjarja e sotme, ku ai ka dalë me thikë në brez para fëmijëve të lagjes, ka shkaktuar panik te prindërit dhe të vegjlit, të cilët sapo kanë nisur pushimet e verës dhe kalojnë pjesën më të madhe të pasditeve jashtë në lagje.
Banorët ndihen të pambrojtur dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe për të parandaluar një tragjedi të mundshme.
Më poshtë po publikojmë mesazhin e plotë të qytetares denoncuese:
“Përshëndetje JOQ. Unë që po ju shkruaj jam një prind nga qyteti i Fierit. Kam shumë besim te faqja juaj dhe dua ta publikoni. Një komshiu jonë në lagjen 29 Nëntori, Fier, i moshuar, ka kërcënuar sot fëmijët e lagjes. Rasti është i përsëritur pasi zotëria i ngacmon fëmijët me fjalë dhe ka pasur raste denoncimi në polici se është pedofil, por asnjë masë nuk është marrë ndaj tij.
Po sot ka dalë me thikë me brez para fëmijëve duke i tmerruar ata. Jam shumë e shqetësuar pasi fëmijët sapo kanë marrë pushimet dhe kalojnë një pjesë të pasdites në lagje. Ju lutem, publikojeni”