Një tjetër tender publik i zhvilluar nga Bashkia Pukë ngre seriozisht dyshime për mungesë gare të ndershme dhe përfitime të mundshme të paracaktuara në dëm të interesit publik.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt rikonstruksionin e tregut agrikulturor në qytetin e Pukës me numër reference REF-45307-04-16-2025 ku autoritet kontraktues është vetë Bashkia Pukë e drejtuar nga kryetari aktual Rrok Dodaj dhe ku fondi limit i vënë në dispozicion ishte 20 milionë e 784 mijë e 56 lekë pa TVSH ose e përkthyer ndryshe afërsisht 250 milionë lekë të vjetra me TVSH të përfshirë.
Pas përfundimit të procedurës, si fituese është shpallur kompania OUEN shpk në pronësi të Mehmet Hilaj me një ofertë prej 20 milionë e 601 mijë e 321 lekësh pa TVSH që përbën 99.12 për qind të fondit limit, çka është jashtëzakonisht e lartë dhe rrallëherë ndodh në një garë të ndershme me konkurrencë reale.
Sipas të dhënave të dokumentuara, në këtë procedurë kanë marrë pjesë pesë kompani të ndryshme por në mënyrë befasuese dhe të pashpjegueshme fitues rezulton kompania me ofertën më të lartë.
Kjo situatë ngjall dyshime të forta se fituesi ka qenë i paracaktuar dhe se procedura është përdorur thjesht si fasadë për të legjitimuar një vendim të marrë më parë në mënyrë informale.
Kur një kompani fiton me ofertë që prek kufirin maksimal të fondit të vënë në dispozicion dhe kur kjo ndodh në prani të disa pjesëmarrësve të tjerë që ofrojnë më pak por skualifikohen pa transparencë të plotë atëherë lind pyetja se kush përfiton nga ky vendim dhe sa efektivisht po përdoren fondet publike të qytetarëve të Pukës?
Roli i kryetarit të bashkisë Rrok Dodaj në këtë proces është thelbësor dhe kërkon shpjegime të qarta pasi është nën drejtimin e tij që është zhvilluar kjo procedurë që nuk lë përshtypjen e një gare të ndershme por të një procesi të kontrolluar dhe të drejtuar sipas interesave të caktuara.
Rasti kërkon vëmendjen e institucioneve përkatëse si Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SPAK për të hetuar nëse kemi të bëjmë me një shkelje ligjore dhe nëse pas këtij tenderi fshihen lidhje të mundshme klienteliste apo abuzim me detyrën.
Në një kohë kur bashkitë në Shqipëri përballen me mungesë fondesh për shërbime bazë dhe investime të nevojshme, nuk mund të tolerohet që fondet publike të përdoren në mënyrë të dyshimtë dhe pa përgjegjësi.