Pse u rrëzua avioni me 242 persona në bord në Indi? Flasin ekspertët, gjenden dy persona të mbijetuar

Shkruar nga: S H | Publikuar më: 12.06.2025, 17:01

Një avion i kompanisë Air India, me destinacion Londrën (Gatwick), është përplasur vetëm pak çaste pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar i Ahmedabad-it. Ekspertë të aviacionit i kanë thënë BBC-së se pozicioni i flapëve të krahëve të avionit gjatë ngritjes mund të ketë qenë një problem që çoi në rrëzimin e tij, duke regjistruar mbi 200 viktima. Flapet e krahëve janë pjesë lëvizëse të vendosura në pjesën e pasme të krahëve të një avioni. Ato përdoren për të ndryshuar formën e krahut gjatë ngritjes dhe uljes së avionit. Një video e verifikuar nga BBC tregon avionin duke zbritur dhe një shpërthim të madh në momentin kur godet tokën.

“Kur e shikoj këtë,” thotë analisti i aviacionit Geoffrey Thomas, “treni i uljes (struktura e avionit që përfshin rrotat dhe sistemin mbështetës, që përdoret për ngritje, ulje dhe lëvizje në tokë) është ende i nxjerrë, por flapet janë tërhequr.”

Kjo do të thotë se flapet janë në linjë me krahun – gjë që ai e konsideron shumë të pazakontë kaq shpejt pas ngritjes. “Treni i uljes zakonisht tërhiqet brenda 10–15 sekondave, dhe më pas flapet tërhiqen gradualisht për një periudhë prej 10–15 minutash,” thotë ai.

Policia indiane ka deklaruar se deri më tani janë gjetur dy të mbijetuar të avionit Air India. Konkretisht, një i mbijetuar u gjet në vendin e rrëzimit (në kabinën e avionit), në sediljen 11A, ndërsa një tjetër u gjet në spital dhe po merr trajtim mjekësor, tha shefi i policisë së Ahmedabadit. Ai shtoi se numri i të vdekurve nga rrëzimi i avionit mund të rritet, pasi avioni u rrëzua në një zonë banimi, shkruan agjencia e lajmeve ANI. Aeroplani Boeing 787-8 Dreamliner, me 242 persona në bord, përfshirë 12 anëtarë të ekuipazhit, u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel të enjten pasdite.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit