Basha i cili sot ka ditëlindjen dhe mbush 51 vjeç ka marrë një dhuratë nga Gjykata e Tiranës. Institucioni i drejtësisë i ka dhënë fitore Bashës në një betejë gjyqësore me Ramën. Basha ka fituar betejën gjyqësore me kryeministrin Edi Rama, për shpifje.
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë e kryeministrit Edi Rama ndaj Lulzim Bashës, që lidhej me një deklaratë të bërë nga Basha në vitin 2018, për të cilën Rama kërkonte një dëmshpërblim prej 1 milion lekësh. Rama kërkonte nga Lulzim Basha të publikonte një përgënjeshtrim për deklaratën e bërë, ndërsa Gjykata ka vlerësuar se padia se nuk është e bazuar në ligj dhe prova.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe vetë Rama, duke ironizuar gjyqtaren e këtij rasti, për të cilën thotë se niveli i arsyetimit është sa i një 12-vjeçari. Rama thotë se kjo është për të qarë e për të qeshur, e më tej reagimin e tij e lidh edhe më kërkesën e gjyqtarëve për rritje page, kur thotë se kjo gjykatëse është edhe anëtarë e unionit që kërkon të paguhet me 700 euro më shumë.
Reagimi i plotë i Ramës
Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!!
Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!
Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur – kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim! Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!
Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh:-)
Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!