Në redaksinë tonë ka mbërritur një apel prekës për Meklinin, një djalë 8-vjeçar nga Durrësi, i cili prej lindjes përballet me sfida të jashtëzakonshme. Meklini është i paralizuar dhe nuk mund të lëvizë pa ndihmën e një karroce.
Historia e dhimbshme e tij nisi kur ishte vetëm 6 muajsh. Atëherë ai pësoi një paralizë cerebrale spastike dhe kaloi edhe një vdekje klinike. Që prej asaj dite kanë kaluar mbi 8 vite, dhe sot Meku, siç e thërrasin me përkëdheli të afërmit, jeton i kufizuar në një karrocë.
Familja e tij përballet me shumë vështirësi. Para dy vitesh, babai i Meklinit u nda nga jeta, duke e lënë nënën të vetme për të përballuar çdo gjë. Motra e Meklinit vuan nga skolioza dhe kërkon përkujdesje të vazhdueshme. Ndërkohë, nëna e tyre mundohet çdo ditë të kujdeset për dy fëmijët e saj të sëmurë dhe të sigurojë të ardhura për jetesën.
Meklini nuk ka shkelur asnjëherë në një klasë shkollore. Familja jeton në katin e pestë të një pallati pa ashensor, dhe nëna nuk ka mundësi fizike ta zbresë çdo ditë në krahë.
Kjo familje ka nevojë për ndihmën tonë. Meklinit i nevojiten ilaçe, një karrocë elektrike për të lehtësuar lëvizjen, dhe mbi të gjitha, një banesë e përshtatshme që t’i mundësojë një jetë më të dinjitetshme.
Shqiptarët e kanë ndihmuar edhe më parë Meklinin, pasi rasti i tij është publikuar në të shkuarën nga ana jonë, por tashmë nevoja për ndihmë është diçka e domosdoshme.
Mund të kontribuoni përmes linkut të fushatës GoFundMe të familjes. Të bashkuar, mund të sjellim një ndryshim të madh në jetën e këtij fëmije!