Një avion i kompanisë Air India, me destinacion Londrën (Gatwick), është përplasur vetëm pak çaste pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar i Ahmedabad-it. Ngjarja ndodhi pak pas orës 13:38 me orën lokale, duke tronditur komunitetin dhe duke nxitur një operacion të madh kërkim shpëtimi.
Autoritetet kanë konfirmuar se dyshohet se nuk ka asnjë të mbijetuar, ndërsa mbi 100 trupa janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes deri tani. Aeroplani, një Boeing 787-8 Dreamliner, ra në një zonë të banuar, duke goditur një ndërtesë ku strehoheshin mjekë dhe sipas raportimeve nga mediat e huaja, edhe disa persona që ndodheshin në godinë kanë humbur jetën.
Në bordin e avionit ndodheshin 242 persona: 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez. Komisari i policisë së qytetit ka deklaruar se nuk pritet të ketë të mbijetuar dhe se trupat e pajetë janë transportuar në spitalet e qytetit.
Videot nga vendngjarja tregojnë pamje të tmerrshme, me flakë dhe tym të zi që ngrihet mbi zonën e banimit.
Një grua që jetonte në ndërtesën e goditur nga avioni tha se djali i saj i shpëtoi duke u hedhur nga dritarja e katit të dytë.
Një sinjal emergjent (mayday) është marrë rreth një minutë para përplasjes. Sipas faqes së ndjekjes së fluturimeve Flightradar24, sinjali i fundit nga avioni është marrë në një lartësi prej vetëm (190 metra), vetëm pak sekonda pas ngritjes kjo sugjeron se avioni nuk arriti të ngrihej në lartësi, duke fluturuar pothuajse në mënyrë horizontale, si të ishte duke u ulur.
Hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende në terren. Linja ajrore dhe autoritetet vendase kanë nisur kontaktet me familjarët e pasagjerëve.