Pamje shqetësuese dhe alarmuese kanë mbërritur së fundmi në redaksinë tonë, ku disa të rinj shfaqen duke kryer një veprim të rrezikshëm në një segment të autostradës në drejtim të Kavajës.
Në videon e regjistruar, dy makina lëvizin paralelisht me shpejtësi në autostradë, ndërsa njëri prej të rinjve, i ulur në vendin e pasagjerit në njërën makinë, i dorëzon një shishe birre drejtuesit të makinës tjetër, e gjithë kjo gjatë lëvizjes dhe në mes të rrugës.
Veprimi jo vetëm që shkel rëndë rregullat e qarkullimit rrugor, por paraqet rrezik serioz për jetën e tyre dhe të drejtuesve të tjerë të mjeteve. Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se birra i dorëzohet drejtuesit të automjetit, çka përbën konsum alkooli në timon, një tjetër shkelje penale që mund të ketë pasoja.
Dyshohet se ky veprim është bërë si "sfidë" për t'u publikuar në rrjete sociale, si pjesë e tendencave të rrezikshme që promovojnë adrenalinë dhe papërgjegjshmëri në rrugë.
Ky rast ngre alarmin për mungesën e ndërgjegjësimit mbi sigurinë rrugore dhe nevojën urgjente që Policia Rrugore dhe institucionet përkatëse të marrin masa ndëshkuese për shkeljen e rregullave të qarkullimit dhe rrezikimin e jetës në rrugë publike.
Një "sfidë" e tillë mund të ketë fund fatal, jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për qytetarë të pafajshëm që ndodhen në rrugë.