“Nuk kishin konflikte”, kushëriri flet për vrasjen e 65-vjeçarit: Autori në gjendje të rënduar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.06.2025, 09:43

Detaje të reja janë zbardhur rreth ngjarjes së rëndë që tronditi komunitetin e fshatit Xibër-Murrizë, në bashkinë Klos, ku një 65-vjeçar, Selim Velsula, u vra në mënyrë brutale me thikë nga kushëriri i tij, Hazbi Velsula, 28 vjeç.

Rasim Velsula, kushëriri i parë i viktimës ka përjashtuar mundësinë e një konflikti mes familjeve. Ai ngriti dyshime se autori mund të ketë qenë në një gjendje të rënduar mendore:

“Kemi hyrje-dalje me të dyja familjet. Unë them që autori ka qenë në depresion, nuk e shpjegoj dot ndryshe. Është i ri i pamartuar. Ishin fis kushërinj me njëri-tjetrin. Nuk kishin konflikte me njëri-tjetrin. Autori kishte prej disa vitesh në Tiranë, jetojnë familjarisht atje, vijnë vetëm që punojnë tokat. Ne e dinim sikur ishin jashtë shtetit, në Greqi, por ja që ndodhi kjo që ndodhi”, tha ai.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 16:00, në një zonë të pyllëzuar pranë pronës së viktimës, ku ai kishte dalë për të nxjerrë bagëtinë. Sipas të dhënave paraprake, autori e kishte thirrur viktimën me pretekstin se kishte një “muhabet”, por e ka sulmuar papritur me një mjet prerës, duke e goditur disa herë në gjoks dhe trup.

I plagosur rëndë, Selim Velsula ka tentuar të kthehet drejt banesës, por është rrëzuar në rrugë. Trupi i tij i pajetë është gjetur nga një banor i zonës, i cili ka njoftuar menjëherë familjarët dhe më pas policinë.

Pas ngjarjes, Hazbi Velsula është larguar nga vendngjarja dhe ka udhëtuar drejt Tiranës. Më vonë, ai ka telefonuar të motrën dhe i ka rrëfyer aktin kriminal. Kjo e fundit ka informuar menjëherë policinë, e cila lokalizoi dhe arrestoi të dyshuarin në zonën e Alliasit, në kryeqytet.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Matit, po vijon punën për të hedhur dritë mbi shkaqet e kësaj vrasjeje të rëndë. Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit