Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës fshatin Xibër-Murrizë të bashkisë Klos, ku një 65-vjeçar u gjet i pajetë pranë pronës së tij, i masakruar me thikë.
Viktima është identifikuar si Selim Velsula, ndërsa autori i dyshuar i krimit është kushëriri i tij, Hazbi Velsula, i cili u arrestua disa orë pas ngjarjes në zonën e Alliasit në Tiranë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se autori ka njoftuar të motrën pas krimit, duke i thënë se kishte vrarë një person. E motra njoftoi menjëherë policinë, e cila lokalizoi dhe prangosi të dyshuarin.
Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës, janë konstatuar plagë të shumta të shkaktuara nga mjet prerës, çka përforcon dyshimet për një akt të dhunshëm të qëllimshëm.
Sipas burimeve, Hazbi Velsula dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor, megjithatë kjo do të verifikohet përmes ekspertizave përkatëse.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Mat, po punon për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të krimit.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.