Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Xibër të Klosit, ku një 65-vjeçar është gjetur i pajetë pranë pronës së tij. Viktima, Selim Velsula, është gjetur në një arë afër banesës, ndërsa dyshohet se ka ndërruar jetë si pasojë e goditjeve me mjet prerës.
Sipas informacioneve paraprake, trupi i të moshuarit kishte dëmtime të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa sipas burimeve, 65-vjeçari nuk rezulton të ketë pasur konflikte me persona të tjerë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit ose autorëve të mundshëm. Policia po vijon kontrollet në zonë dhe mbledhjen e provave që mund të ndihmojnë në hetim.