Ish-polici shqiptar, Fatos Cenaj, 58 vjeç, ka ndërruar jetë në spital pas tre ditësh në luftë me jetën, pasi u plagos me plumb në kokë më 8 qershor në Fontaniva, Itali. Shkaqet e kësaj ngjarje tragjike mbeten ende mister.
Prokuroria e Padovës po heton mbi dyshimet e një atentati nga një vrasës me pagesë, i motivuar nga hakmarrja për konflikte që Cenaj mund të ketë pasur në Shqipëri gjatë karrierës së tij si polic. Megjithatë, familjarët e të ndjerit theksojnë se "ai nuk ka pasur kurrë probleme me askënd".
Skanimi i kryer në spital zbuloi se plumbi kishte hyrë pas veshit dhe kishte dalë nga balli, duke treguar një trajektore nga poshtë lart. Megjithatë, gëzhoja mungon, duke e bërë të pamundur përcaktimin e armës së krimit, nëse ka qenë pistoletë apo pushkë gjuetie.
Ndërkohë që motivi mbetet i panjohur, hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që Cenaj të jetë goditur aksidentalisht nga një plumb qorr. Megjithatë, pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes nga ndonjë kriminel i profilit të lartë, të cilin Cenaj mund ta ketë shqetësuar gjatë viteve të tij në polici.
Prokuroria ka nisur një hetim për vrasje të mbetur në tentativë dhe pritet të caktohet një mjek ligjor për analiza të thelluara. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu përgjimet e linjave telefonike që ishin aktive pranë vendit të ngjarjes në Fontaniva, një zonë lehtësisht e aksesueshme dhe e përshtatshme për largim të shpejtë.