Lulzim Toçi, 31 vjeç, i ndaluar në burgun e Santa Maria Capua Vetere në Itali për vrasjen e gruas së tij, Eleanor Toçi, 24 vjeç, i ka dhënë fund jetës me vetëvarje sot, më 11 qershor, pak pas orës 13:00. Toçi, i cili vuante nga skizofrenia akute, ndodhej në njësinë psikiatrike të burgut të San Marinos.
Vrasja e Eleanor Toçit ndodhi më 9 tetor 2024, në shtëpinë e tyre në San Felice a Cancello, para syve të fëmijëve të tyre të vegjël, atëherë 6 dhe 4 vjeç. Ngjarja tronditëse u zbulua pasi Lulzim Toçi u shfaq në shtëpinë e vëllait të tij, duke kërkuar të çohej në spital. Kunata e tij, duke mos parë Eleanorin, i telefonoi asaj, dhe fëmija 6-vjeçar iu përgjigj video-thirrjes, duke i treguar tezes trupin e pajetë të nënës. Policia e ndaloi 31-vjeçarin para shtëpisë së tij.
Gjatë seancave dëgjimore, Lulzim Toçi rrëfeu vrasjen, por nuk ishte në gjendje të jepte arsye të qarta. Ai shfaqej i hutuar dhe jepte versione të ndryshme të ngjarjes, duke sugjeruar se kishte halucinacione.