Një skandal i përmasave të mëdha po ndodh në zemër të Himarës, ku Shpella e Odiseut në Spile, një monument kulture i kategorisë së parë dhe me rëndësi të veçantë historike që daton që nga periudha homerike, po betonizohet dhe shkatërrohet për qëllime private. E njohur për artefaktet e saj të rralla arkeologjike dhe dëshmitë unike historike, kjo shpellë po kthehet në një "lavazh" dhe parking, duke shkaktuar zemëratë te qytetarët dhe duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e institucioneve shtetërore.
Sipas raportimeve, persona të familjeve Dhimojani, banues dikur në kala, pretendojnë pronësinë mbi shpellën dhe kanë nisur punimet, duke dëmtuar rëndë mjedisin hyrës dhe duke depërtuar thellë brenda saj. Njëra nga dy hyrjet dhe daljet e shpellës është bllokuar me një ndërtim "barbar", ndërsa plani i biznesit synon shfrytëzimin e dy hyrjeve dhe zgafellave antike. Skandali thellohet pasi brenda shpellës është depërtuar një tubacion i ujërave të zeza dhe janë hedhur mbetje urbane e inerte, duke e bërë të pavizitueshme. Hyrja e djathtë e shpellës është kthyer në parking, duke penguar aksesin në këtë monument me vlerë unike historike.
Ankesat e shumta nga qytetarët e Himarës në Bashkinë e Himarës për këtë "barbari" kanë rënë në vesh të shurdhër. Madje, një ditë më parë, qytetarët u detyruan të ndalonin shkarkimin e kamionëve me rërë dhe inerte pikërisht pranë vendit ku ndodhet tabela e mbuluar, që shënon shpellën si Monument Kulture, e vendosur dikur nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Arkeologjisë dhe Historisë.
Megjithëse Shpella e Odiseut është përmendur dhe fotografuar në të gjitha studimet antike, veçanërisht ato të periudhës homerike shqiptare, dhe mban vlera me rëndësi unike të epokave dhe shekujve të shkuar, asnjë nga institucionet kombëtare nuk ka reaguar. Kjo indiferencë është tronditëse, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë e saj historike.
Një shembull i qartë i rëndësisë së kësaj shpelle është vizita e aktorit me famë botërore, Bekim Fehmiu, i njohur si "Uliksi shqiptar", i cili e konsideroi vizitën në "Shpellën e Odiseut" si një ngjarje të rrallë për jetën dhe lidhjen e tij me Shqipërinë dhe historinë homerike të cilën e përjetësoi në filmin hollivudian "Odiseu".
Protestat dhe ankesat denoncuese të qytetarëve himariotë për zhdukjen dhe pushtimin e këtij monumenti mijëravjeçar po injorohen. Ministria e Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar, Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë dhe ai i Arkeologjisë, të cilët duhet të ngriheshin fuqishëm kundër këtij akti barbar, po mbeten në heshtje. Kjo vepër e pa precedent rrezikon zhdukjen e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë.