Vetëm brenda pak ditësh, Shqipëria është tronditur nga një seri ngjarjesh të rënda, që kanë një të përbashkët të dhimbshme: jetët që shuhet pa zhurmë, në heshtje, mes mureve të një dhome, në majë të një ndërtese, a në degët e një peme.
Një 69-vjeçar u vetëhodh mbrëmjen e kaluar nga pallati ku banonte në Yzberisht. Para pak ditësh, një tjetër ngjarje tragjike ndodhi në të njëjtën zonë, ku një 14-vjeçar u hodh nga pallati duke humbur jetën.
Një ngjarje tjetër ndodhi më 7 qershor në Tiranë, në Qytetin Studenti. Një i ri rreth 30 vjeç, i paidentifikuar dhe jo banor i godinës, u vetëhodh nga tarraca e ndërtesës nr. 12. Ai ndërroi jetë në vend dhe nuk kishte me vete asnjë mjet identifikimi. Policia vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe për identifikimin e tij. Një ngjarje që tronditi jo vetëm komunitetin studentor, por edhe opinionin publik, për shkak të vendit ku ndodhi, një hapësirë që simbolizon rininë, ëndrrat dhe të ardhmen.
Po me 7 qershor një tjetër ngjarje tragjike u regjistrua në fshatin Rrëmenj të Pogradecit. Guido Dervishllari, një 20-vjeçar që punonte si fotograf, u gjet i vetëvarur në një zonë kodrinore nga banorët e zonës. Miqtë e tij e përshkruajnë si një djalë të dashur, të qeshur dhe plot jetë, duke e bërë lajmin edhe më të vështirë për t’u pranuar. Shkaqet që e çuan drejt këtij vendimi mbeten ende të paqarta, ndërsa komuniteti dhe familja e tij janë të shokuar.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, një tjetër i ri humbi jetën në rrethana të ngjashme. Hysen Lato, 20 vjeç, i shpallur i humbur disa ditë më parë, u gjet i vetëvarur në një pemë në fshatin Gjonomadh. I riu ishte larguar nga shtëpia pa marrë me vete celularin apo para, dhe nuk kishte dhënë asnjë shenjë jete për gjashtë ditë. Dyshohet se ai po kalonte një periudhë të vështirë psikologjike, por kjo mbetet ende për t’u konfirmuar nga hetimet.
Në pak rreshta dhe në pak ditë, janë disa emra, disa jetë, që tashmë mungojnë. Këto nuk janë thjesht lajme, janë thirrje të heshtura për ndihmë, që nuk u dëgjuan në kohë. Të gjithë këta të rinj mund të ishin ende mes nesh, nëse dikush do t’u kishte dhënë kohë, vëmendje, një dorë, një fjalë.
Janë shumë raste për t’i quajtur "të izoluara". Janë shumë humbje për të kaluar pa zhurmë.
Por a po i dëgjojmë këto britma të heshtura?
Shqipëria nuk ka më luksin të heshtë për shëndetin mendor. Të rinj dhe të moshuar, burra dhe gra, po përballen me dhimbje të thella emocionale, shpesh pa asnjë mbështetje. Shoqëria i gjykon, i përjashton, i etiketon... por rrallë i dëgjon.
Të flasësh për shëndetin mendor nuk është më zgjedhje, është domosdoshmëri.
Pas çdo lajmi të tillë fshihet një histori. Një zemër që rrahu fort. Një shpresë që u dogj në heshtje.
Nuk ka turp në ankth. Nuk ka dobësi në lot. Nuk ka faj në depresion.
Ka vetëm një apel të fortë: të jemi pranë njëri-tjetrit. Të mos lëmë askënd vetëm.
Të ndërtojmë ura, jo mure. Të flasim. Të dëgjojmë. Të veprojmë.
Një fjalë mund të shpëtojë një jetë. Një përqafim mund të ndryshojë një mendje. Një vëmendje mund të rikthejë një dritë.
Nëse po kalon një moment të vështirë, mos e mbaj për vete.
Ka gjithmonë një rrugë. Ka gjithmonë një dorë që pret të të ndihmojë.